Kosova
Albin, për asociacionin je gati?/ Gjithmon Gati
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i gatshëm për takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçic në Bruksel, më 2 maj.
Ai nënvizoi nevojën që marrëveshja bazë me Serbinë, por edhe aneksi i zbatimit të zbatohen pa vonesa dhe plotësisht.
“Gjithmonë jam gati për takimet e nivelit të lartë, të cilat organizohen me lehtësimin apo ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Takimi i radhës do të mbahet në Bruksel si zakonisht, me ç’rast duhet të diskutohet se si edhe marrëveshja Brukselit dhe aneksi i zbatimit nga Ohri që është pjesë integrale do të zbatohen pa vonesa dhe në plotni”, tha kryeministri
Duke folur për zgjedhjet në katër komunat veriore, Kurti tha se fushata e egër e shantazhit dhe kërcënimit të Beogradit ndikoi në daljen e ulët në votime të qytetarëve në veri.
Megjithatë, Kurti ua uroi fitoren kandidatëve për kryetar të komunave veriore, teksa edhe tha se pret konsolidimin e shpejtë të institucioneve komunale atje.
Emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak ka thënë se në takimin e 2 majit do të shqyrtohet edhe çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me ç’rast iu ka kërkuar palëve që të shkojnë në Bruksel të përgatitur.