Shkrime
Aleksandër Vuçiç, piromani zjarrfikës
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Serbia do të paraqesë kërkesë për mbajtjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me Kosovën. Vuçiç deklaroi se ka shkruar një letër në lidhje me situatën aktuale që do tju dorëzohet të gjithë përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, përfaqësuesve te institucioneve të BE-së, si dhe presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, përfshirë Rusinë dhe Kinën, përmes së cilës do jtu tregohet atyre se sa shqetësuese është gjendja në veri të Kosovës.
Shfuqizimi i dinarit si mjet pagese në Kosovë kësaj radhe është arsyeja e njoftimeve të tilla, edhe pse keto lloj njoftimesh nuk eshte hera e pare qe i behen opinionit vendor dhe më pas braktisen nga presidenti i Serbisë. Kërkesa për një seancë të tillë për herë të fundit, Vucic e kishte bërë në korrik të vitit të kaluar.
Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, tha për median opozitare serbe Danas se presidenti Vuçic është nën presion serioz kur bëhet fjalë për Banjskën dhe vjedhjen e zgjedhjeve, dhe të gjitha deklaratat e tij shërbejnë për të fshehur faktin se hapësira e tij për manovrim është jashtëzakonisht e ngushtë.
“Prioriteti i komunitetit politik perëndimor është Kosova, sepse është rrezik sigurie, siç shihet edhe nga reagimet e tyre. Në vend që të gjejë vendin e tij brenda komunitetit euroatlantik, që është zgjidhja më e mirë për Serbinë, Beogradi vazhdon të hezitojë dhe të humbasë hapin historik. Mund të ndodhë që Serbia të mbetet e izoluar dhe pa mbështetjen që ka pasur deri më tani – theksoi Biserko.
Raporti preliminar i Kosovës për sulmin në Banjskë është shumë i detajuar dhe shkatërrues për Serbinë, tha më tej Biserko – duke pasur parasysh se ajo nënkupton përfshirjen e shtetit serb dhe se formacioni paraushtarak ka vepruar sipas udhëzimeve të Beogradit.
“Fakti që Perëndimi e shtoi praninë ushtarake në rajon pas Banjskës dëshmon se ishte një ngjarje kthjelluese, e cila u pasua nga një qasje e re, më radikale ndaj Serbisë. Takimi i Vucic me perfaqesuesit e vendeve te QUINT-it dy ditë më parë, pas të cilit nuk pati asnjë deklaratë të përbashkët, tregon se ai takim nuk ishte i këndshëm për presidentin serb, i cili ende pretendon se Banjska ishte “rezistenca e popullit serb” dhe se zgjedhjet e dhjetorit ishin “më të pastrat në histori” – theksoi Sonja Biserko
Sipas saj, futja e euros në veri të Kosovës mund të pritej, sepse është një hap tjetër në rrumbullakimin e sovranitetit të Kosovës.
“Kështu bëri dikur Mali i Zi për t’u mbrojtur nga Beogradi. Futja e euros është zgjidhje e favorshme edhe për serbët, sepse me futjen e transaksioneve të pagesave edhe në veri, ndihma e Beogradit do të ishte transparente dhe do të parandalohej manipulimi i Listës Serbe me ato mjete” – deklaroi kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut
“Fakti që presidenti po bërtet dhe po shpall letra për vendet kryesore të botës, përfshirë Këshillin e Sigurimit – theksoi Biserko – i shërben qëllimit të turbullimit të asaj që po ndodh realisht prapa skenave – dhe qe është largimi përfundimtar i Kosovës nga orbita serbe”
“Në vend që t’i japin mbështetje për ta çliruar nga barra e Kosovës, e cila po pengon modernizimin e Serbisë, shumica e kritikëve duan ta diskreditojnë pikërisht në këtë pikë – theksoi Biserko.
Sipas Biljana Stojkoviç, bashkëkryetare e partisë Zajedno, Vuçiç zakonisht thërret çështjet e Kosovës kur ai është në telashe.
“Ai aktualisht është nën presion për vjedhjen e zgjedhjeve dhe jam e sigurt se e ka parë projekt-rezolutën që do të miratohet më 8 shkurt në Parlamentin Evropian. Ai kurrë nuk është dënuar dhe cilësuar më ashpër se tani, si një autokrat që vjedhë brutalisht zgjedhjet për të qëndruar në pushtet. Vucic ka dale lakuriq” – deklaroi Stojkoviç
Kosova është sigurisht një problem i madh, shton ajo, por një problem për të cilin Vuçic nuk mendon nga perspektiva e qytetarëve të kombësisë serbe.
“Do t’i mashtrojë përsëri dhe do t’i braktis serish të gjithë elementët e shtetësisë për të hequr presionin nga vetja. Atij nuk i intereson jeta dhe prandaj thirrja me emra të Albin Kurtit dhe ndërkombëtarëve ka për qëllim krijimin e mjegullës. Ai dha gjithçka, bëri cdo gjë, ndezi zjarre dhe tani e paraqet veten si zjarrfikës, paqebërës dhe martir në altarin e mbrojtjes së Serbisë. Ka dyshime të bazuara se ai e ka organizuar ‘dorëzimin’ e dinarëve këtë verë dhe kështu e ka vulosur atë pjesë të historisë. Askush nuk i gëlltit më gënjeshtrat e ti, e aq më pak serbët e Kosovës” – theksoi Biljana Stojkoviç, bashkëkryetare e partisë Zajedno në Serbi.