Politike
Alibeaj e konsideron “vrastare” nëse Rama do të merrte një mandat tjetër

Kryetari i “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj gjatë fjalës së tij në seancën plenare të 17 shkurtit e konsideroi “vrastare” nëse kryeministri aktual Edi Rama do të merrte një mandat tjetër në zgjedhjet e 11 majit.
“Do ishte vrastare që Rama të merrte një mandat tjetër. Erioni dhe Olsi i SPAK-ut po përballen me sulme nga të gjitha anët. Shqiptarët duan drejtësi dhe ndëshkimin e korrupsionit”, u shpreh fillimisht ligjvënësi.
Ai theksoi në vijim se është kundër që vota e diasporës të numërohet nga PS-ja dhe PD-ja.
“Edi Rama u sul në diasporë, i futi dhe në sherr emigrantët dhe ka hedhur të gjithë administratën e vet të gjejnë shqiptarët atje për t’i paguar. Ai i dëboi shqiptarët, i do si kavje eksperimentale për t’i marrë votën”, u shpreh ndër të tjera ai.
Alibeaj ravijëzoi se zgjedhjet e 11 majit “nuk janë për të përcaktuar pushtetin, por do ndajnë se kush do të fitojë korrupsioni apo drejtësia, do fitojë e shkuara apo e ardhmja”.
Sipas tij, palët politike janë bërë bashkë kundër drejtësisë dhe drejtësia e ka në dorë t’i heqë kësaj klase politike “motivin për të vjedhur vota dhe mandate”.
“Duhet të mbështesim SPAK”, ishte thirrja e tij, “shqiptarët i kanë sytë nga SPAK-u”.

