Politike
Alibeaj tërhiqet nga “lufta” për vulën e PD: S’kam më interes, kam partinë time

Enkelejd Alibeaj dhe Rezart Kthupi janë tërhequr nga rekursi në Gjykatën e Lartë që kishin depozituar për vulën e Partisë Demokratike, duke përfaqësuar Lulzim Bashën. Në një deklaratë për mediat, Alibeaj shprehet se në atë kohë ka qenë në një tjetër pozicion, si kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, por tani ka krijuar një subjekt të ri politik me të cilin është regjistruar në zgjedhjet.
“Vendimi është individual. Në kohën që unë kam bërë rekursin kam qenë në një tjetër pozicion, si kryetar i komanduar i PD. Kemi krijuar nje subjekt të ri politik, jemi regjisruar dhe jemi në koalicon. Duke qenë se jemi një parti tjetër, s’kam me interes të ligjshëm të ndjek një proces për logon dhe vulën e PD. Sepse dikur kam qenë në pozitë tjetër dhe sot s’jam në atë pozitë. Kjo është kërkesë ligjore. Nuk kam asnjë synim të marr drejtimin e PD, logon apo vulën përmes gjykatës. Vendimi im është individual dhe nuk prek synimet e personave të tjerë që mund ta synojmë një gjë të tillë”, tha Alibeaj.
Sipas dokumentit të depozituar, Kthupi ka shkruar se tërhiqet nga rekursi për shkak të ndryshimeve në pozicionin partiak.
“Unë tashmë nuk përfaqësoj dhe nuk jam pjesë e grupimit politik e quajtur Partia Demokratike. Nuk mbaj asnjë post, e asnjë tagër përfaqësimi. Për më shumë, tashmë jam i angazhuar në një tjetër subjekt politik, tërësisht të dallueshëm e të ndryshëm nga subjekti i mësipërm”, thuhet në dokument.
Më tej vazhdon, se për shkak të regjistrimit si parti politike dhe koalicion në zgjedhje, nuk ka më interes në pozicionimin e tij politik, pasi ka krijuar një parti të re, “Djathtas 1912”.
“Nga ajo kohë e më pas, kanë ndodhur disa ndryshime në pozicionim partiak. Unë tashmë nuk përfaqësoj dhe nuk jam pjesë e grupimit politik e quajtur Partia Demokratike. Nuk mbaj asnjë post, e asnjë tagër përfaqësimi. Për më shumë, tashmë jam i angazhuar në një tjetër subjekt politik, tërësisht të dallueshëm e të ndryshëm nga subjekti i mësipërm. Është fakt publik tashmë, por edhe po ju vë në dijeni, se kanë ndodhur edhe disa akte juridike dhe politike të rëndësishme, sic është p.sh. regjistrimi pranë KQZ i subjektit politik ku unë bëj pjesë, si subjekt garues në zgjedhjet e pritshme të 2025, madje edhe në kuadër të një koalicioni politik. Nën dritën e këtyre fakteve juridike, është shuar interesi i ligjshëm në vazhdimin e këtij procesi gjyqësor si kusht themelor mbi të cilin ngrihet e vazhdon një proces i tillë. Përvec kësaj, sqaroj, se interesi i ligjshëm bazohej dikur edhe në pozicionimin politik të dikurshëm, i cili sic shpjegova më lart tashmë nuk ekziston më.
Duke qenë se konsideratat e pozicioneve politike janë të rëndësishme sidomos tani nën dritën zhvillimeve politike dhe elektorale, më imponon të qartësoj se mungesa e interesit të ligjshëm dhe atij politik në raport me subjektin politik PD, më pengon ligjerisht, dhe në rrafshin etiko-elektoral të përfaqësoj e të shtyj përpara një proces gjyqësor të tillë nga i cili nuk tërheq asnjë të drejtë apo detyrim. Për më shumë me subjektin politik në fjalë, nuk më lidh asnjë raport politik e aq më pak juridik, madje e konsideroj një subjekt politik me interesa politiko elektorale tërësisht të ndryshme dhe pa asnjë interferim me subjektin politik në të cilin kam aderuar tani e në vazhdim”, thotë Kthupi në kërkesë.
Por nëse Alibeaj e Kthupi nuk janë më të interesuar për vulën dhe logon e Partisë Demokratike, kjo nuk do të thotë që edhe Basha nuk është. Përkundrazi! Përmes një reagimi, ai shkruan se nuk ka hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë. Madje ka nisur edhe një “valë” sulmi ndaj atij që disa muaj më parë ishte bashkëpunëtori i tij i ngushtë. Basha përmes partisë së tij të re “Partia Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë” shkruan se “ata” (nuk i përmend me emër) që janë tërhequr nga beteja ligjore janë vetëdemaskuar se punojnë për interesa të ngushta personale.
“Vetëm dy ditë më parë drejtues të Koalicionit Euroatlantik /PD – Demokratët Euroatlantikë, janë kërcënuar, se nëse Koalicioni Euroatlantik, nuk do t’ju nënshtrohej kushteve për bashkëpunim, duke hequr dorë nga identiteti ynë politik, do të përballeshin me tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë. Demokratët Euroatlantikë e kanë provuar me vepra, se nuk ka forcë të na shantazhojë dhe se, nuk biem pre e asnjë presioni. Ne kemi qëndruar dhe qëndrojmë për parime dhe vlera. Duhet të marrë fund koha kur interesat politike i mbivendosen të drejtës në këtë vend. Ne do ta vazhdojmë pa u ndalur, betejën ligjore dhe i kërkojmë Gjykatës së Lartë të marrë një vendim sa më shpejt, bazuar në ligj, pa u ndikuar nga presioni, shantazhet apo lojërat politike që synojnë të marrin peng Partinë Demokratike për tu mbrojtur nga drejtësia,”-shkruan ndër të tjera Basha.
REAGIM I PD-DEMOKRATËT EUROATLANTIKË:
Partia Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, nuk kanë hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë. Çdo kërkesë e depozituar sot, nga individë që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, ka zero efekt në këtë proces. Ata që kanë shpallur sot tërheqjen janë vetëdemaskuar, si autorët e një shantazhi politik për interesa të ngushta personale. Vetëm dy ditë më parë drejtues të Koalicionit Euroatlantik /PD – Demokratët Euroatlantikë, janë kërcënuar, se nëse Koalicioni Euroatlantik, nuk do t’ju nënshtrohej kushteve për bashkëpunim, duke hequr dorë nga identiteti ynë politik, do të përballeshin me tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë. Demokratët Euroatlantikë e kanë provuar me vepra, se nuk ka forcë të na shantazhojë dhe se, nuk biem pre e asnjë presioni. Ne kemi qëndruar dhe qëndrojmë për parime dhe vlera. Duhet të marrë fund koha kur interesat politike i mbivendosen të drejtës në këtë vend. Ne do ta vazhdojmë pa u ndalur, betejën ligjore dhe i kërkojmë Gjykatës së Lartë të marrë një vendim sa më shpejt, bazuar në ligj, pa u ndikuar nga presioni, shantazhet apo lojërat politike që synojnë të marrin peng Partinë Demokratike për tu mbrojtur nga drejtësia.
Çfarë ndodhi me vulën e PD-së?
Pas një përplasje 3-vjeçare në kampin opozitar, në Qershor të këtij viti, Gjykata e Apelit vendosi se kryetari legjitim i PD-së është ish-kryeministri Berisha. Ky i fundit u rikthye fuqishëm në politikë pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së në 2021-in. Pas një sërë kuvendesh dhe referendumeve të organizuara nga mbështetësit e Berishës, në dhjetor të vitit 2021, u deklarua përmbysja e vendimeve të Bashës dhe zgjedhja e Berishës si lider i PD-së. Ky vendim u sfidua në gjykatë nga palët rivale, duke rezultuar në një betejë të gjatë ligjore për vulën dhe drejtimin zyrtar të partisë. Vendimi i fundit nga Gjykata e Tiranës, i reflektuar në dokumentin e firmosur nga sekretarja e regjistrit të partive politike, vulos zyrtarisht drejtimin e PD-së nga Berisha.

