Politike
Alimehmeti kërkon hapjen e PD: Pa një riformatim të vërtetë nuk mund të fitojmë

Një prej figurave më të votuara të opozitës në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti, beson se Partia Demokratike duhet të riorganizohet dhe të hapet ndaj figurave të reja.
Në një intervistë Alimehmeti shpjegon se përtej betejës për të treguar të vërtetën për farsën zgjedhore të 11 majit, PD ka dy sfida, e para beteja në parlament dhe e dyta beteja për të bërë PD parti fituese. Sipas tij për ta bërë parti fituese duhet së pari PD të hapet e të riorganizohet.
“Ato parime me të cilat nisi rithemelimi; e para është hapja, që do të thotë të ftosh dhe të thërrasësh njerëz që mund të japin kontribut në parti, dhe e dyta meritokracia. Tani ne kemi disa procese zgjedhore që janë zhvilluar, që do të thotë njerëz që japin e performojnë duhen mbështetur të shkojnë përpara dhe disa njerëz që kanë performuar më pak se sa ishte e pranueshme, atëherë një hap më pas”, tha Alimehmeti.
Riorganizimi sipas Ilir Alimehmetit është rruga e vetme që PD të krijojë frymë e të sjellë shpresë.
“Pa një riformatim të vërtetë ne do e kemi të vështirë, nuk them e pamundur, por do ta kemi të vështirë t’i qasemi zgjedhjeve të 2027. Patjetër me qetësi, këto kërkojnë kohën e vet, kërkojnë procedurat e veta, ne po presim ende raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, sepse është pjesë e analizës sonë dhe në bazë të analizës sonë duhet bërë diskutimi i këtij riformatimi, sa i gjerë duhet të jetë”, tha Alimehmeti.

