Connect with us

Ekonomi

Alternativat e Shqipërisë përballë krizës botërore

Si gjithë vendet e tjera, jemi në një periudhë stagflacioni ku Shqipëria rrezikon pasoja të menjëhershme duke qenë ekonomi importuese, dhe jo e balancuar në importe – eksporte.

Lënda e parë për prodhim do të shtrenjtohet pas krizës së energjisë dhe lëndëve djegëse.

Rritja e padiskutueshme e çmimeve të produkteve të shportës do ta bëje konsumatorin më të kujdesshëm ndaj shpenzimeve. Qytetarët do të mundohen të rrisin kursimin duke reduktuar shpenzime e përditshme, me qëllim që të përballojnë shpenzimet shtese të paplanifikuara të energjisë, derisa të arrijnë të përshtaten me sjelljen e konsumit të kujdesshëm.

Gjatë pandemisë si pasojë edhe e masave të marra për të parandaluar dhe për të kuruar Covid-19, tregu pati kërkesa të veçanta për produkte specifike shtesë, të cilat nuk ishin pjese e shportës se konsumit të përditshëm. Kjo bëri të mundur zhvillimin e sipërmarrjeve të reja të lidhura me nevojat shtesë për menaxhimin e pandemisë si edhe zhvilloi gjithashtu ekonominë digjitale për biznesin e vogël dhe të mesëm, si dhe nxiti sipërmarrje të reja start-up inovative. Kriza më shumë se ekonomiko-financiare ishte psikologjike. Barrierat e lëvizjes së lire ndikuan në rritjen e çmimit të logjistikës e cila u reflektua në rritje të çmimeve të importit. Sot jemi në kushtet e stabilizimit të çmimeve të shërbimit logjistik, duke qenë një rritje fiktive e krijuar jo plotësisht nga kërkesa dhe oferta, por më tepër abuzive.

Kjo krizë e radhës është ndryshe për shumë arsye!!!

Ekonomia e Shqipërisë gjendet në një status të lodhur pas krizave të vazhdueshme të cilat kanë lënë gjurmët e veta.

Kursi i këmbimit ka reduktuar të ardhurat efektive për eksportuesit duke qenë se pagesat për taksat, pagat, pjesërisht edhe fornitorët janë marrëdhënie të fiksuara në monedhën Lek.

Niveli i pagave është rritur, në kushtet e përpjekjeve për të rekrutuar dhe për të mbajtur fuqinë punëtore kur lëvizja e tyre po kërkon mundësi më të mira jetese në vendet evropiane. Por edhe në kushtet që emigracioni i ligjshëm është lehtësuar kundrejt kontratave të punës në vendet e BE-së.

Rritja e pagës minimale në kushtet e krizës është një kosto shtesë për sektorët e punësimit masiv, siç është ai i fasonerisë, pas edhe një rritje të afërt më parë në kohë. (Rritja e kostove nuk ka shkuar në masë të njëjtë me rritjen e çmimit të shitjes së shërbimit)

Energjia ka filluar të peshojë në vlere tek sektori privat dhe shihet si rrisk i vijimësisë.

Fuqia blerëse do të bjerë si pasojë edhe e frikës për të përballuar faturën e energjisë me qellim përballimin e një dimri të ftohtë. Konsumatori do të mendohet mire për të kryer një shpenzim.

Biznesi i vogël dhe i mesëm nuk do të jetë në gjendje të investojë i vetëm dhe pa suport financiar në prodhimin e energjisë për përdorim vetjak. Por çështja e energjisë duhet koordinuar edhe me politika afatgjata në rregullim të sektorit, në certifikim të ndërtimeve me sisteme instalimi të standardeve të kursimit të energjisë, në kualifikim të llojit të ndërtesës sipas kategorisë së konsumit të energjisë etj. Në këtë mënyrë edhe biznesi kërkon të ndërgjegjësohet për të rritur standardin edhe në mënyrë të pavarur dhe në koordinim me detyrime ligjore të cilat avantazhojnë investimet në këtë drejtim.

Tregu i lirë i energjisë në treg nuk po ofron avantazhe në çmim kur energjia blihet nga shoqëri private që operojnë në treg.

Paketat ndihmëse për biznesin për menaxhimin e krizës mungojnë.

Doing business në Shqipëri ka humbur fokus. Hapat e start-up janë shtuar shumë. Afati në kohë për të bërë aktive një shoqëri tregtare nuk është më 24 orë. Hapja e llogarive bankare për bizneset me pronar të huaj është vështirësuar dhe analiza e rriskut merr më shumë se dy javë kohë. Sulmi kibernetik ka lënë gjurmë dhe disa nga proceset janë ngadalësuar. Kalimi i shërbimit online, është shpesh jo i shoqëruar me asistencën online.

Por ajo që kërkon fokus të veçantë, është nxitja e prodhimit vendas të produkteve të shportës, çka krijon një shans të mirë për fermerët vendas në veçanti të cilët duhet ta shfrytëzojnë situatën duke garantuar konsumatorin me produkt por edhe me çmim.

Diaspora ka një rol shumë të rëndësishëm për këtë vit të vështirë për vendin tonë.

Remitancat do të luajnë një rol akoma me pozitiv për familjet në nevojë dhe moshën e tretë. Ndaj duhet nxitur edhe lehtësi në operacione bankare por edhe duhet të synohet ulje e kostove të transfertave ndërkombëtare për individin.

Pritet gjithashtu një paketë menaxhimi krize nga qeveria për biznesin e vogël dhe të mesëm duke shpresuar se do të ndodhë.

Projekti i Porto Romanos është një thirrje për investitorët e huaj, por edhe vendas, e cila do të mund të zëvendësojë efektin e rindërtimit i cili është në fazën e përfundimit por që ka një rol vetëm zëvendësues por edhe plotësues për ekonominë. Vizioni i këtij projekti ka nxitur investimet nga sektori privat në zonë dhe duket se do të jetë një mundësi afatgjatë zhvillimi i sektorit privat dhe afrimit të brendeve të reja ndërkombëtare.

Avantazhet fiskale të sektorit automobilistik dhe prodhim software në Shqipëri do të vijojnë të jenë në interes të sipërmarrjeve të reja të huaja.

Fondet e zhvillimit, nga donatorë të ndryshëm patjetër që janë shtysë e rëndësishme e ekonomisë vendase, por që sot kërkojnë përqendrim në inovacion dhe teknologji të pavarur nga punësimi masiv por edhe në procese të përforcimit të sipërmarrjes dhe rritjes së produktivitetit te tyre.

Ekosistemi shqiptar ka nevojë për qëndrueshmëri.

Ka nevoje për orientim të punonjësve nga ata me kualifikim të mesëm dhe të ulët drejt atyre me kualifikim të lartë.

Ka nevojë për të rritur produktivitetin e firmave (nuk jemi as në mesataren e Ballkanit).

Ka nevojë për qëndrueshmëri fiskale duke kontribuar në rritjen e besimit te politikat fiskale.

Dr. Mag. Rer. Publ. Elisabeta Katiaj, Doktor shkencash në statistikë, magjistruar në shkenca të administrimit publik dhe diplomuar në ekonomiks ka një eksperiencë shumëvjeçare në institucione regullatore dhe ekzekutuese. Aktualisht ajo është Nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.

Znj. Katiaj është edhe kontribuese në angazhimet e nxitjes dhe zhvillimit të sipërmarrjes dhe investimeve të huaja në veçanti në vendin tonë.

Advertisement