Aktualitet
Altin Dumani: Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka deklaruar se nuk e shqetësojnë kërcënimet nga politika, por nga krimi i organizuar. Sipas tij, familja e një prokurori të SPAK është kërcënuar nga krimi i organizuar.
Këtë deklaratë Dumani e bëri gjatë fjalës së tij ditën e sotme në takimin e parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”.
“Krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar, jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi, sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata, por në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyrë”, ka thënë Dumani.
Kujtojmë se rreth 5 muaj më parë, Dumani ka kërkuar shtimin e masave të sigurisë për prokuroren Doloreza Musabelliu, e cila dyshohet se ishte në listën e personave që grupi i Laert Haxhiut do të ekzekutonte.