Rajon
Ambasadori Geer me kritika: Shkupi nuk bën reformat antikorrupsion
Ambasadori evropian në Shkup David Geer në mbledhjen e sotme të punës në Qeveri, në të cilën mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Slavica Gërkovska, ka paraqitur një sërë kritikash lidhur me përmbushjen e rekomandimeve për luftimin e korrupsionit nga raporti i vitit të kaluar i Komisionit Evropian.
Të dy i vlerësuan si “të pamjaftueshme, të ngadalta dhe zhgënjyese” masat dhe rekomandimet e zbatuara nga Komisioni Kundër Korrupsionit – Strategjia Kombëtare për luftën kundër korrupsionit dhe nga Komisioni Evropian.
“Reformat në lidhje me sundimin e të drejtës dhe luftën kundër korrupsionit mbetet në nivel shqetësues. Janë dhënë udhëzime të qarta se çfarë duhet të bëhet, cilat duhet të jenë prioritetet. Por pak është arritur. Komisioni Shtetëror për Anti-korrupsion dhe organet tjera shtetërore bëjnë punë të rëndësishme por rekomandimet e ndryshme lidhur me punën e tyre nuk respektohen dhe nuk veprohet në pajtueshmëri me ta”, theksoi euroambasadori Geer.
Ai shtoi se progresi i vendit tonë në përballjen me korrupsionin do të vlerësohet seriozisht në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian dhe për këtë arsye, shtoi ai, është e nevojshme që të gjitha institucionet, të gjitha subjektet relevante në vend të bashkohen në përballjen me këtë dukuri.
“Qeveria, opozita dhe Parlamenti duhet të punojnë së bashku në këtë drejtim, sistemi gjyqësor duhet të rifitojë besimin e publikut, po ashtu i rëndësishëm është edhe roli i shoqërisë civile dhe medias. Të gjithë duhet t’i bashkohen kësaj lufte,” tha Geer.
Zëvendëskryeministrja Gërkovska përkujtoi se institucionet pas takimit të dhjetorit të vitit të kaluar kishin për obligim që në Qeveri t’i dorëzojnë plane me masa konkrete, të cilat dalin nga Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2022 dhe nga Strategjia Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konflikti i Interesit për vitet 2021-2025, raporton “INA”.
“Nuk ka kohë për të pritur dhe nuk ka kohë për të humbur. Jo vetëm për sa i përket raporteve evropiane në vijim, por edhe për sa i përket pritjeve të qytetarëve për rezultate thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Përmbushja në kohë e detyrimeve varet nga të gjithë ne që drejtojmë institucionet. Afrimi me BE-në nënkupton forcimin e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së të gjitha institucioneve”, tha Gërkovska.
Sekretarja e Shtetit në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu Halili informoi se trajtimi efikas i korrupsionit është parakusht për mbylljen e çdo kapitulli dhe për këto arsye është e rëndësishme që të gjitha institucionet, në çdo fushë, në të gjitha pjesët e sistemit, të punojnë me përkushtim për këtë çështje.