Politike
“Ambasadori i Lirisë”/ Ndarja nga jeta e Daum, Berisha: Mbylli sytë në atdheun e tij të dytë

Sali Berisha: Të dashur miq, ish-ambasadori i parë gjerman pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, një mik i madh i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, Werner Daum, mbylli sytë përgjithmonë në atdheun e tij të dytë, në Shqipëri.
Ambasadori Werner Daum ishte një mik i shquar i ditëve më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitet 1989–1990, pas rënies së Murit të Berlinit, Werner Daum, përfaqësues i kombit të madh gjerman, pasardhës i një familjeje antinaziste i mëkuar me pasionin për lirinë, bëri gjithçka dhe më shumë se kushdo tjetër që të inkurajonte shqiptarët të ngriheshin kundër regjimit komunist diktatorial dhe të ndiqnin rrugën e kombeve të tjera të shtypura ish-komuniste. Me kontaktet dhe takimet e tij direkte me guximtarë të grupeve antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë etj., ai dha ndihmesë tejet të çmuar në inkurajimin e protestave të para antikomuniste në Shkodër, Kavajë, Tiranë në muajt e parë të vitit 1990.
Por veprimtaria e tij për lirinë e shqiptarëve kulmoi si promotor kryesor i kryengritjes paqësore të Rinisë së Tiranës më 2 korrik 1990. Ambasada e vendit të tij, nën drejtimin e tij, u shndërrua në kështjellën e lirisë të 3800 të rinjve që shembën Murin e Berlinit në Tiranë dhe e mbushën atë me kryengritës në çdo skaj të saj. Qëllimi i tij ishte që kryengritja paqësore e 3800 të rinjve që mbushën ambasadën e RFGJ dhe qindra e qindra të rinjve të tjerë që hynë në ambasadat e tjera të mbështetej nga qytetarët e Tiranës dhe të përmbysej kështu edhe në Shqipëri regjimi komunist.
Pas këtij aksioni të jashtëzakonshëm, që u shndërrua në kryelajmin e mediave botërore, ai u transferua nga Shqipëria dhe, mjerisht, shoqëria shqiptare ato ditë historike nuk doli dot nga apatia. Por megjithëkëtë, kryengritja paqësore e 2 korrikut 1990, arkitekt kryesor i të cilës ishte ambasadori Werner Daum, do të ishte preludi i revolucionit demokratik të Dhjetorit 1990 që solli përmbysjen e diktaturës komuniste; ndaj dhe ai do të mbetet gjithmonë Ambasador i Lirisë për shqiptarët.
Pas largimit nga Shqipëria, mik i çmuar i shqiptarëve dhe në veçanti i kolosëve Ismail Kadare dhe Martin Camaj, studiues dhe intelektual klasi në elitën akademike gjermane por edhe franceze, Werner Daum do të ishte një avokat i Shqipërisë, shqiptarëve, kulturës së tyre. Ai i kushtoi kohë dhe energji të çmuar promovimit të tyre në Europë. Dashurinë dhe respektin e tij për Shqipërinë, shqiptarët, kulturën, identitetin, historinë e tyre, ai e paraqiti në një seri studimesh, referatesh, leksionesh dhe ekspozitash ndër më të arrirat kushtuar atyre.
Për të gjithë kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka nderuar këtë burrë të shquar të kombit gjerman me Urdhrin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë. Kurse kryetari i Bashkisë së Kavajës e shpalli më datën 10 korrik 2025 Qytetar Nderi të qytetit.
Unë pata fatin ta takoj përsëri atë më 10 korrik 2025 në Kavajë, në 35-vjetorin e rënies së heroit të parë të demokracisë së Shqipërisë, Josif Buda, në varrimin e të cilit ai kishte marrë pjesë dhe kujtimin e të cilit ai kishte ardhur ta nderonte. Dy ditë më parë pata me ambasadorin një bisedë të gjatë, që së bashku me kujtimin e veprës së tij të ndritur do ta mbaj mend përgjithmonë.

