Aktualitet
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë: Bota duhet të ngrihet për t’i dënuar terroristët e Hamasit
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv ka publikuar një video, duke shkruar se “Izraeli nuk po lufton kundër popullit palestinez” por “po lufton terroristët e Hamasit”, shkruajnë mediat kosovare.
Ziv shkroi në platformën “X” se “e gjithë bota duhet të ngrihet për t’i dënuar terroristët e Hamasit”.“Izraeli nuk po lufton kundër popullit palestinez. Izraeli po lufton terroristët e Hamasit. Asgjë nuk mund të justifikojë vrasjet barbare të papërfytyrueshme të fëmijëve, grave dhe pleqve të pafajshëm. Asgjë nuk mund ta justifikojë përdorimin e palestinezëve në Gaza si mburoja njerëzore. Pothuajse 600 raketa të hedhura nga Hamasi në drejtim të Izraelit ranë në Gaza, duke përfshirë spitalin Al-Ahli, duke vrarë palestinezë të pafajshëm. E gjithë bota duhet të ngrihet për të dënuar terroristët e Hamasit”, shkroi ambasadorja izraelite.
Izraeli, përmes ambasadores Ziv është shprehur shumë mirënjohës ndaj Kosovës, shtetit me të cilin lidhi marrëdhënie diplomatike para pak kohësh, që deklaroi mbështetjen e tij të plotë për të, duke dënuar sulmin e Hamasit. Kosova kështu po qëndron në anën e Perëndimin.
Ambasadorja Ziv ka thënë para disa ditësh se janë “thellësisht të prekur e mirënjohës nga mbështetja e palëkundur e te shkëlqyeshme që kemi marrë nga miqtë tanë në Kosovë, duke përfshirë partitë në pushtet dhe në opozitë, si dhe nga njerëzit nga të gjitha shtresat kemi marrë mesazhe mbështetëse”.