Bota
Amerika deklaroi se e shkatërruan, por ku po fshihet uraniumi i pasuruar i Iranit?

Pluhuri është larguar nga ndërtesa në zonën malore të quajtur Fordo dhe në dy lokacione të tjera iraniane që Shtetet e Bashkuara thanë se “shkatërruan” gjatë fundjavës së kaluar, në një përshkallëzim dramatik të përpjekjeve për të dobësuar programin bërthamor të Iranit.
Ky program, deri më tani, ka prodhuar pak më shumë se 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivel të lartë, që konsiderohet “afër” shkallës së pasurimit që kërkohet për ndërtimin e një bombe bërthamore.
E, ku gjendet uraniumi i pasuruar në nivel të lartë i Iranit?
“Mendoj se mënyra më e sigurt për ta përshkruar është kjo: Irani e di ku është, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore dhe publiku nuk e dinë, dhe nëse [amerikanët apo izraelitët] e dinë, nuk po tregojnë”, tha Richard Nephew, i cili ka shërbyer si drejtor për çështjet e Iranit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë presidencës së Barack Obamës.
“Ekziston mundësia që në ditët e para të luftës ta kenë zhvendosur, të kenë çuar një pjesë në ndonjë vend tjetër”, tha Oren Setter, një gjeneral në pension i ushtrisë izraelite.
Setter, që është një nga ekspertët kryesorë për Iranin, shtoi se “por, mes SHBA-së, Izraelit dhe komuniteteve të tjera të inteligjencës, ka gjasa të mëdha që do të ishte zbuluar”.
Iranianët “me gjasë kanë menduar se ishte i sigurt në tunele”, tha ai.
Pas bombardimeve të 22 qershorit – dhe nëntë ditë të sulmeve izraelite që u paraprinë atyre – analistët e inteligjencës, inspektorët ndërkombëtarë dhe ekspertët bërthamorë po punojnë për të kuptuar se sa shumë janë dëmtuar ambiciet bërthamore të Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se bombat amerikane kishin shkaktuar dëme të mëdha, veçanërisht në objektin në Fordo.
“Kjo ndërtesë është shkatërruar plotësisht dhe ne mendojmë se gjithçka bërthamore që ishte aty poshtë, ata nuk e larguan që aty”, tha ai më 25 qershor.
“E goditëm Iranin aq fort dhe aq shpejt, saqë nuk patën kohë ta zhvendosnin materialin e pasuruar. Është shumë vështirë që materiali të lëvizet, është shumë i rëndë. Ne besojmë se tani ndodhet nën shtresa graniti, betoni dhe çeliku”.
Ndërkaq, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha të enjten – kur u pyet se si mund të jetë i sigurt presidenti Trump që asnjë sasi e uraniumit të pasuruar nuk është larguar nga Fordo, siç ka pretenduar ai – se “Shtetet e Bashkuara, agjencitë tona të inteligjencës, drejtori [i inteligjencës amerikane, John] Ratcliffe, dhe ekipi i sigurisë kombëtare kanë monitoruar nga afër këto objekte gjatë javëve dhe ditëve para sulmit… Nuk kemi pasur asnjë tregues që ndonjë sasi uraniumi të pasuruar të jetë zhvendosur nga ndonjë prej këtyre objekteve.
Por, deri më tani gjithçka mbetet e paqartë.
Në debatin më të gjerë lidhur me sa vendimtare ishte goditja ajrore e SHBA-së, pyetja më e rëndësishme është: ku ndodhet uraniumi i pasuruar i Iranit?
Irani, i cili këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe civile, vlerësohet të ketë rreth 8.400 kilogramë uranium të pasuruar, sipas të dhënave të muajit maj.
Pjesa më e madhe e këtij uraniumi është pasuruar në nivele të ulëta, të përshtatshme për përdorim në termocentrale bërthamore. Kjo lejohet sipas të drejtës ndërkombëtare.
Por, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), Irani gjithashtu ka 408 kilogramë uranium të pasuruar në shkallë të lartë – deri në rreth 60 për qind.
Mendohet se pjesa më e madhe e këtij uraniumi ishte ruajtur në Qendrën për Teknologji dhe Kërkime Bërthamore në Isfahan, rreth 450 kilometra në jug të Teheranit. Isfahani u godit nga raketat lundruese Tomahawk, të lëshuara nga një nëndetëse amerikane. Ndërkaq, bombarduesit strategjikë B-2 fluturuan përreth globit për të hedhur bombat për shkatërrimin e bunkerëve në objektet në Natanz dhe Fordo, qendrat e mëdha për pasurimin e uraniumit, të ndërtuara thellë në brendësi të maleve.
Sipas një vlerësimi fillestar të dëmeve, të kryer nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes të SHBA-së (DIA), u tha se një sasi e panjohur e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë, mund të jetë zhvendosur nga Fordo përpara bombardimit. Sipas gjetjeve të Pentagonit, ai material mund të jetë transferuar në një objekt të tretë, për të cilin iranianët thuhet se e kishin informuar paraprakisht IAEA-n.
Megjithatë, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi se vlerësimi i DIA-s ishte vetëm paraprak dhe jo përfundimtar, dhe se rezultatet ishin arritur me një shkallë “të ulët besueshmërie”. Ndërkohë, drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), John Ratcliffe, tha se vlerësimi i agjencisë së tij bie ndesh me atë të DIA-s, duke shtuar se programet e Iranit janë “dëmtuar rëndë”.
Ekspertët e pavarur kanë dhënë vlerësime më të kujdesshme.
“Me rezerva të mbetura të uraniumit të pasuruar në 60 për qind dhe centrifuga të fshehura, Irani ruan ende aftësinë për një të pasuruar uranium në nivel të lartë dhe për të prodhuar uranium të nivelit që kërkohet për armë bërthamore”, tha më 24 qershor Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, një institut me seli në Uashington, i themeluar nga ish-inspektori i armëve të IAEA-s, David Albright.
Niveli i pasurimit të uraniumit, që kërkohet për armë bërthamore, është 90 për qind e më shumë.
Centrifugat – mijëra prej tyre – janë thelbësore për përpunimin e uraniumit. Ato e rrotullojnë një version të gazifikuar të uraniumit me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, duke e pasuruar atë për përdorim në shufra karburanti, për termocentrale bërthamore – apo për ndërtimin e një koke bërthamore.
Irani kishte rreth 20.000 centrifuga të instaluara në dy qendrat kryesore të pasurimit të uraniumit në vend: Fordo dhe Natanz. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Fordo ishte vendndodhja kryesore për prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë.
Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë kanë sugjeruar se një pjesë e madhe e kapacitetit të centrifugave është dëmtuar rëndë, diçka me të cilën pajtohen në masë të madhe edhe ekspertët e pavarur.
“Sulmet kanë shkatërruar programin e pasurimit të uraniumit me centrifuga të Iranit”, tha instituti. “Do të duhet shumë kohë para se Irani të afrohet sërish me kapacitetin që kishte para sulmit”.
Centrifugat, të instaluara në dhoma masive, të ngulitura në dysheme dhe të rregulluara me saktësi për të rrotulluar me shpejtësi të jashtëzakonshme uraniumin, janë të vështira për t’u lëvizur.
Megjithatë, uraniumi më lehtë mund të zhvendoset.
Para sulmit të 22 qershorit, imazhet satelitore treguan dhjetëra kamionë të rreshtuar në rrugët që çojnë drejt tunelit në kompleksin malor të Fordos. Disa ekspertë thanë se kamionët mund të kenë sjellë dhe, për të mbushur hyrjet e tuneleve, me qëllim që t’i mbrojnë nga sulmet ajrore apo edhe nga sulme të tjera.
“Para se të mbusheshin tunelet, është e mundur që iranianët të kenë tentuar të zhvendosin uraniumin e pasuruar që ndodhej në atë objekt”, tha Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare.
Por, sipas Jeffery Lewis, hulumtues i kontrollit të armëve në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes në Monterei, Kaliforni, pjesa më e madhe e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë ka qenë me gjasë e ruajtur në Isfahan, i cili ka qenë objektiv i sulmeve amerikane dhe izraelite.
Megjithatë, tunelet në Isfahan nuk janë goditur nga këto sulme, tha ai në një postim në X.
“Askush nuk e di se ku ndodhet tani uraniumi i pasuruar në nivel të lartë”, tha Jeffery Lewis.
“Katërqind kilogramë i uraniumit të pasuruar në nivel të lartë është një çështje shumë serioze, nuk dua ta minimizoj problemin”, tha Decker Eveleth, ekspert për çështje bërthamore dhe parandalim në Qendrën për Analiza Detare në Uashingtoni. “Është një problem madhor. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për iranianët të vendosin se çfarë të bëjnë dhe ta bëjnë atë në një mënyrë që të mos zbulohen”.
Dy zyrtarë izraelitë, të cilët folën në kushte anonimiteti, pretenduan se rezervat e uraniumit të pasuruar në 60 për qind dhe në 20 për qind janë varrosur në Isfahan dhe Fordo dhe do të jetë e vështirë të rikuperohen, raportoi faqja e lajmeve Axios, me seli në Uashington.
“Nuk do ta dijë askush me siguri për disa ditë nëse uraniumi i pasuruar në nivel të lartë është zhvendosur”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, për CBS News.
“Dyshoj që e kanë zhvendosur, sepse në këtë moment nuk mund të lëvizësh asgjë. Që në momentin që një kamion niset, izraelitët e shohin, dhe e godasin menjëherë”.
Besohet se Irani ka një numër të panjohur centrifugash rezervë të ruajtur diku.
Përveç pyetjes se ku ndodhet uraniumi i pasuruar në nivel të lartë, pyetja tjetër është sa centrifuga rezervë ka dhe sa shpejt ato mund të bëhen funksionale nëse Teherani dëshiron të ndërmarrë hapin përfundimtar që ta përdorë për armë uraniumin e tij.
“Uraniumi i pasuruar në nivel të lartë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse … ata kanë përfunduar 99 për qind të punës për të arritur në uranium të pasuruar në nivel të lartë, që është pjesa prej 450 kilogramësh”, tha Setter. “Kjo është shumë e rëndësishme”.
“Por, atyre ende u mungon ai 1 për qind i punës së pasurimit [për të arritur nivelin e kërkuar për armë bërthamore]”, tha ai. “Dhe që kjo të arrihet, atyre u duhen centrifuga funksionale. Pyetja është sa centrifuga rezervë kanë ende, sa shpejt mund t’i vënë në punë, dhe nëse guxojnë ta bëjnë këtë”./REL

