Bota
Amerika do mbrojë qiellin e Ukrainës/ Orët e mbrëmjes përcaktojnë fatin e pushtimit rus dhe Putinit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ka biseduar për mbrojtjen ajrore me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe se janë pajtuar për të punuar për rritjen e aftësive të Kievit për ta “mbrojtur qiellin” teksa sulmet ruse po përshkallëzohen.
Zelensky shkroi në llogarinë e tij në Telegram se me liderin amerikan folën gjithashtu rreth prodhimit të përbashkët në industrinë e mbrojtjes, si dhe për blerjet dhe investimet e përbashkëta.
Ukraina ka kërkuar nga Uashingtoni që t’i shesë më shumë raketa dhe sisteme Patriot, të cilat i sheh si tejet të rëndësishme për t’i mbrojtur qytetet e veta nga bombardimet përshkallëzuese nga Rusia.
Një vendim i Uashingtonit për t’i pezulluar disa dërgesa armësh për Ukrainën e ka nxitur Kievin të paralajmërojë se kjo do t’i dobësonte aftësinë e tij për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse dhe përparimet në fushëbetejë.
Gjermania tha se është në bisedime për blerjen e sistemeve mbrojtëse ajrore Patriot për ta mbushur boshllëkun.
Një ditë më parë, Trump tha se zhvilloi një telefonatë zhgënjyese me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Rusia goditi Kievin me sulmin më të madh me dronë që nga fillimi i luftës në kryeqytet, vetëm disa orë pas bisedës së Trumpit me Putinin të enjten.

