Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matt Whitaker, ka deklaruar se presidenti amerikan, Donald Trump do të ndërmarrë masa të ashpra ekonomike ndaj Rusisë më 8 gusht, përmes vendosjes së tarifave dhe sanksioneve shkatërruese.

Në një prononcim për mediat ndërkombëtare, Whitaker tha se këto masa kanë për qëllim ta godasin rëndë ekonominë ruse dhe ta izolojnë atë në arenën globale.

“Rusia nuk do të ketë më asnjë mik. Nuk do të ketë partnerë tregtarë. Aftësia e saj për të financuar këtë luftë do të marrë fund,” u shpreh ambasadori amerikan.

Sipas tij, paketat e reja të sanksioneve do të synojnë sektorët kyç të ekonomisë ruse, përfshirë energjinë, bankat dhe industrinë e mbrojtjes. Tarifat e importit dhe ndalimet e eksportit pritet të thellojnë më tej krizën financiare në Moskë.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm për shkak të vazhdimit të agresionit rus në Ukrainë dhe kërcënimeve të përsëritura ndaj vendeve të NATO-s. Whitaker theksoi se masat janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të rikthyer paqen dhe sigurinë në rajon.

“Këto janë hapa të nevojshëm për t’i dhënë fund një lufte që po kushton jetën e mijëra civilëve dhe po destabilizon rendin ndërkombëtar,” tha ai.

Ndryshe, Trump ka paralajmëruar një qasje më agresive pas 8 gushtit ndaj Moskës nëse nuk përfundon lufta në Ukrainë