Shkrime
Amerika nuk e ka me Shqipërinë dhe as me Qeverinë e Edi Ramës, e ka me veten e saj

Për muaj të tërë, qëndrimi më i rezervuar i Shteteve të Bashkuara ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri — përfshirë zgjedhjet, arrestimet dhe dorëheqjet e detyruara në nivel vendor — është interpretuar nga shumë aktorë në opinionin publik shqiptar si një heshtje domethënëse.
Ose si distancim i qeverisë amerikane ndaj qeverisë Rama, ose si mbështetje e heshtur për të.
Por tashmë duket se kemi një përgjigje më të qartë dhe më të thjeshtë: qasja e re e Washington-it nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Shqipërinë. Ajo është strukturore dhe globale.
Në dokumente ekskluzive të siguruara nga Albanian Post dhe në përgjigje zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), u bë e qartë se si SHBA-të po ndërmarrin një rikonfigurim të thellë të mënyrës si e ushtrojnë diplomacinë, duke reduktuar ndërhyrjet publike dhe deklaratat që dikur shoqëronin zhvillimet politike në vendet e tjera.
Ambasadat nuk duhet të përmendin ideologji specifike dhe mesazhet për zgjedhje duhet të jenë të kufizuara në përgëzime formale për fituesit.
Në fakt, qasja “e rezervuar” e Washington-it nuk është aplikuar njësoj në çdo rast.
Në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, administrata Trump reagoi në mënyrë të dukshme përmes figurave të afërta si JD Vance, Richard Grenell dhe Elon Musk, duke kundërshtuar haptazi vendimin për anulimin e rezultatit zgjedhor që favorizonte kandidatin populist Călin Georgescu.
Po ashtu, në Gjermani, pranë zgjedhjeve të parakohshme, figura të lidhura me të djathtën amerikane morën pjesë në aktivitete të partisë AfD, ndërsa retorika kritike ndaj institucioneve demokratike u rrit.
Urimi i SHBA-ve
Në këtë sfond, urimi i ftohtë i ambasadës amerikane në Tiranë më 27 maj për zgjedhjet parlamentare të 11 majit – i shpërndarë vetëm në mediat sociale dhe jo në faqet zyrtare të DASH-it – merr një kuptim të ri.
Nuk mund të jetë indiferencë ndaj Shqipërisë, por përputhje me një strategji të re globale të komunikimit diplomatik.
Në fund të majit, Albanian Post publikoi ekskluzivisht një Letër-Njoftim të DASH-it drejtuar Kongresit Amerikan, ku shpalosen planet për një riorganizim të thellë të brendshëm.
Ndër to, përfshihet bashkimi i zyrave që mbulojnë Evropën Jugore dhe Ballkanin në një strukturë të re: “Zyra e Çështjeve të Ballkanit dhe Evropës Jugore”.
Ky planifikim sugjeron se SHBA-të po racionalizojnë prezencën e tyre në rajon – jo për ta minimizuar rëndësinë e vendeve si Shqipëria, por për ta trajtuar atë si pjesë e një kuadri më të gjerë rajonal dhe jo si raste më vete.
Vizita e aluduar
Heshtja diplomatike u theksua edhe më shumë pas deklaratës së ambasadorit shqiptar në SHBA, Ervin Bushati, më 5 korrik, se Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte pranuar një ftesë për të vizituar Tiranën.
Por DASH, në një përgjigje të drejtpërdrejtë asokohe për Albanian Post, u shpreh: “Nuk kemi asnjë udhëtim për të njoftuar në këtë kohë”, duke e zbehur menjëherë entuziazmin zyrtar të palës shqiptare.
Pritja për vizitën vazhdon, por konfirmimi ende mungon.
Të gjitha këto elementë – udhëzimi i ri për ambasadat, riorganizimi strukturor i DASH-it, mungesa e një ambasadori në Tiranë që prej vitit 2023 dhe përgjigjet formale – e zhvendosin fokusin nga Shqipëria si “rast” në Shqipërinë si “shembull” i një epoke të re të diplomacisë amerikane.
Rama-Trump
Por, një fakt tjetër mbetet ende pa interpretim: Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në samitin e NATO-s në Hagë, ku merrte pjesë edhe presidenti Trump, por nuk u publikua asnjë foto mes të dyve.
Kjo lë për vend për pikëpyetje mbi marrëdhëniet e të dy krerëve.
Por gjithçka mund të qartësohet shpejt nëse — siç pritet — Sekretari Rubio viziton Tiranën, ose me organizimin e Samitit të NATO-s në Shqipëri në 2027, vendim i miratuar unanimisht, përfshirë SHBA-të.
Ndryshe nga çfarë shumëkush mund të ketë hamendësuar, të paktën nuk ka krizë specifike me Shqipërinë.
Ka vetëm një Amerikë që po riformulon marrëdhëniet me botën.
Dhe Shqipëria nuk përbën përjashtim — është pjesë e skemës së re. AP

