Rajon
Analistët serbë thonë se Serbia do ta pësojë nëse…
Nëse Serbia, gjegjësisht presidenti, Aleksandar Vuçiq, nuk e pranon planin evropian, franko-gjerman për Kosovën, të mbështetur nga SHBA-ja, analistët serbë vlerësojnë se kjo nuk do të kalojë pa pasoja të këqija për qytetarët e Serbisë.
Sipas Sreçko Gjukiqit, një ish-diplomat serb, disa skenarë janë në lojë.
“Njëri skenar, më i favorshmi, është që të ofrohet sa më parë një plan tjetër që nuk do të përmbajë dispozitën e kontestueshme për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Megjithatë, kjo është vërtet e pamundur sepse gjithçka që po bëhet po bëhet për legjitimimin e Kosovës këtë organizatë botërore dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, pa njohje formale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, thotë Gjukiq.
Goran Miletiq, drejtor programi i Civil Rights Defenders, thotë për ”Danas” se është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe gjithçka të mbetet e njëjtë, pa asnjë pasojë negative
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje gjatë qëndrimit në Vjenë tha se Kosova absolutisht e pranon planin franko-gjerman dhe se Serbia e refuzon.
Po ashtu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në pyetjen se a e pranon atë plan, tha se Serbia nuk do të pajtohet me njohjen formale apo joformale të Kosovës, duke aluduar në kërkesën për të mos kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Pa atë dispozitë, për të legjitimuar Kosovën në organizatën botërore dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, pa njohje formale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të ishte e përkohshme, e paplotë dhe nuk do të përfundonte puna dhe nuk do të rregullohej konflikti. Kjo do të thotë një spirale e re negociatash që do ta vazhdonte bashkësia ndërkombëtare. Për një gjë të tillë aktualisht nuk ka disponim tek ndërmjetësuesit kryesorë, thotë Gjukiq.
Ai shton se “në rast se negociatat dështojnë, padyshim se do të ishte sërish faji i Beogradit, nuk është bashkëpunues, historia nga Rambujeja po përsëritet, etj.”.
“Prishtina do të dilte ‘e pastër’. Ajo që do të pasonte do të ishte ajo që ndodh kur negociatat dështojnë – ndërprerja e tyre, ngrirja, ndërmjetësit i çojnë duart, pason një periudhë pritjeje dhe reflektimi. Dhe këtu është pyetja kryesore, çfarë do të bëjnë faktorët ndërkombëtarë kur karota nuk ndihmoi? A do të përdorin sanksione, politike, ekonomike, financiare, ndërprerje investimesh?”, pyetet Gjukiq.
Përkatësisht, thekson ai, në duart e BE-së dhe SHBA-së janë “thika dhe torta” dhe ata do të duhet të rivlerësojnë se çfarë të bëjnë dhe me çfarë mjetesh të veprojnë, nëse nuk e kanë bërë këtë tashmë në Bruksel dhe Uashington.
“Dhe unë besoj se janë. Ata kanë të paktën edhe një plan rezervë që nuk do të jetë aq i favorshëm për ne sa oferta që është në tavolinë të cilën nuk duhet refuzuar aq lehtë. Ajo anashkalon vijat e kuqe të politikës serbe, dhe Beogradi do të duhej dhe besoj se mund të përfitonte nga kjo ofertë”, përfundon Gjukiq.
Sipas Goran Miletiqit, pavarësisht nga mendimet e ndryshme lidhur me sanksionet e mundshme, sigurisht që do të kishte pasoja nëse Serbia deri diku me vendosmëri e refuzon planin e ofruar.
“Prandaj është e pamundur që Serbia ta refuzojë planin dhe gjithçka të mbetet e njëjtë, pa asnjë pasojë negative. Se a do të jetë izolim politik apo ekonomik dhe deri në çfarë mase, nuk është diçka që mund ta dimë, por është mjaft e sigurt se do të kishte pasoja serioze negative nëse Kosova pranon (njëfarë forme) zgjidhjen e ofruar, e Serbia jo”, thotë Miletiq.