Connect with us

Shkrime

Analisti: Situata në veri i ka dëmtuar qartë marrëdhëniet shumë të veçanta të Kosovës me SHBA-në

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se situata në veri të Kosovës është shumë serioze dhe mund ta frenojë në një masë të paparashikueshme procesin e pajtimit dhe integrimit të komunitetit serb në Kosovë. Duke folur për sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës ai tha zhvillimet e fundit i kanë dëmtuar marrëdhëniet shumë të veçantë ndërmjet dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec, si i shihni tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe përshkallëzimin atje?

Marko Prelec: Kjo është një situatë shumë serioze që ka potencialin të ndezë njëfarë dhune reale, potencialisht me humbje jetësh. Tashmë ka një numër mjaft të madh të personave të lënduar dhe të plagosur dhe përtej kësaj, ajo ka potencialin të frenojë në një masë të paparashikueshme procesin e pajtimit dhe integrimit të komunitetit serb në Kosovë, por në mënyrë shumë domethënëse.

Zëri i Amerikës: Komuniteti ndërkombëtar fajësoi drejtpërdrejt qeverinë e Kosovës për veprime të njëanshme. A mendoni se qeveria e Kosovës duhet të ishte treguar më e përmbajtur dhe të kishte marrë parasysh pasojat e mundshme para se të ndërmerrte ato hapa?

Marko Prelec: Po, sigurisht. Por mendoj se qeveria e Kosovës e dinte saktësisht se çfarë po bënte. Mos të harrojmë se ky nuk është veprimi i parë për tërheqjen e vëmendjes nga qeveria. Gjatë gjithë vitit të kaluar, dhe në fakt, duke filluar nga fundi i vitit 2021, ka pasur një sërë hapash të qeverisë për të treguar autoritetin e saj në veriun e Kosovës, që kanë hasur në rezistencë dhe rritje të tensioneve. Pra, shumica e tyre kanë qenë mosmarrëveshje, që mund të jenë të vështira edhe për dëgjuesit tuaj që të kuptojnë seriozitetin e gjërave të tilla, se çfarë targa të makinave lejohet tw përdoren, por e rëndësishme është se në tre raste, në tre raste të veçanta në shtator dhe tetor 2021 dhe pastaj në korrik dhe dhjetor 2022 kishte barrikada në gjithë veriun e Kosovës, dhe duhej të kishte njëfarë përpjekje tw paqeruajtësve ndërkombëtar për t’i mbajtur gjërat nën kontroll. Pra, qeveria e dinte nga përvoja se çfarë do të ndodhte nëse do të ndërmerrte hapat që ndërmori.

Zëri i Amerikës: Si e shihni zgjidhjen e situatës aktuale në veri të Kosovës?

Marko Prelec: Epo, mendoj qartë se kjo duhet të trajtohet në mënyrë dypalëshe, por ndoshta më mirë në mënyrë shumëpalëshe, përmes bisedimeve ndërmjet autoriteteve në Beograd dhe autoriteteve në Prishtinë dhe gjithashtu aktorët ndërkombëtar si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të shtensionuar situatën. Por, gjëja tjetër që është thelbësore për të bërë këtu është t’i kushtoni vëmendje opinioneve të komunitetit të prekur në veri të Kosovës. Diçka që humbet në shumë biseda është se sa i frustruar dhe mosbesues është bërë ai komunitet. Sigurisht që nuk i besojnë qeverisë së Kosovës, por nuk i besojnë as qeverisë serbe. Kjo është shumë e rëndësishme për ta mbajtur parasysh. Dhe unë mendoj se një pjesë e shpërthimit të zemërimit që pamë, që çoi në të gjitha ato plagosje ishte thjesht se njerëzit ishin të ngopur me një vit ose më shumë tensione të larta dhe duke pasur gjëra që ata nuk i kuptojnë, duke u marrë nga njerëz të tjerë nga larg, larg nga territori i tyre. Ata duhet të futen në proces në një farë mënyre. Mendoj se është thelbësore.

Zëri i Amerikës: Bashkësia ndërkombëtare i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të tërheqë forcat e posaçme nga ndërtesat komunale, për të ulur tensionet. Si i shihni këto thirrje dhe refuzimin e kryeministrit Albin Kurti për të vepruar?

Marko Prelec: Po, bashkësia ndërkombëtare po i bën thirrje Kosovës që të tërheqë forcat e posaçme të policisë dhe gjithashtu paralelisht me këtë që katër kryetarët e komunave, kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të punojnë nga ndërtesat alternative, ndoshta të vendosura në disa nga fshatrat me shumicë shqiptare në atë zonë. Kështu që unë e kuptoj që kryeministri Kurti nuk dëshiron ta bëjë këtë, por ai ka sinjalizuar disa ide të ndërlidhura si pranimi që këta kryetarë komunash nuk e kanë, siç ai e quajti, legjitimitetin e fortë, nuk kanë një mandat të fortë dhe sinjalizoi për zgjedhje të parakohshme. Mendoj se ky është ndoshta hapi i radhës, hapi tjetër i domosdoshëm për uljen e tensioneve duke tërhequr policinë e posaçme. Ju mund të argumentoni, nëse ky është apo jo një hap i mirë, por mendoj se vetëm duke parë rolin që policia e posaçme ka luajtur në imagjinatën e komunitetit serb në veri, është e vështirë të shihet se si i lenë ata atje ose të paktën duke i lënë në ndërtesat komunale, do të kontribuonte në çfarëdo mënyre për një zgjidhje.

Zëri i Amerikës: Por, kryeministri Albin Kurti po thotë se me veprimet në veri po zbaton sundimin e ligjit dhe nuk ka shprehur gatishmëri për të larguar kryetarët e rinj nga ndërtesat e komunave. Si mund tw rrjedhin zhvillimet?

Marko Prelec: Po, mendoj se sundimi i ligjit është një gjë e rëndësishme, por gjithashtu nuk është domosdoshmërisht gjëja e parë që duhet kërkuar në një mjedis për zgjidhjen e konfliktit, sepse sundimi i ligjit është diçka që vjen pasi të keni paqe, pasi të keni një situatë paqësore. Ne nuk e kemi atë tani. Pra, sundimi i ligjit nuk është mjet për zgjidhjen e konflikteve. Është diçka nga e cila ne mund të gëzojmë dhe të përfitojmë, pasi të kemi zgjidhje të konfliktit dhe zgjidhja zakonisht kërkon gjëra të tilla si negociatat. Negociata se cili do të jetë ligji. Dhe këto negociata kanë qenë duke u zhvilluar. Kështu që unë mendoj se një nga arsyet pse bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e zëshme dhe kritikë për kryeministrin është se ata i kanë perceptuar këto si hapa të shkurtër, në bisedimet që janë zhvilluar me ndërmjetësimin e Josef Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione për shkak të veprimeve të qeverisë në veri. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?

Marko Prelec: Do ta vendosja në kontekstin e përshkallëzimit nga Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja ka përdorur një gjuhë gjithnjë e më të fortë duke provuar ta bindë qeverinë e Kosovës që të angazhohet në dialogun në Bruksel në mënyrë specifike në lidhje me përmbushjen e detyrimit të saj për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, diçka që daton nga marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Dhe është përsëritur në këtë raund të fundit. Kështu që mendoj se qartë Uashingtoni priste që fjalët të mjaftonin por ata e zbuluan se nuk mjaftojnë dhe tani ata iu drejtuan sanksioneve. Dhe mendoj se nuk do të habitesha nëse ato sanksione do të ishin në gjendje të përshkallëzohen në ditët e ardhshme nëse Uashingtoni mbetet i pakënaqur dhe sigurisht nëse situata në terren përkeqësohet dhe nëse qeveria perceptohet si përgjegjëse për përkeqësimin.

Zëri i Amerikës: A janë dëmtuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së që të dyja palët i kanë konsideruar të veçanta?

Marko Prelec: Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk i ka vendosur sanksione Kosovës më parë, dhe zakonisht është përmbajtur edhe për të kritikuar udhëheqësit e Kosovës në publik të paktën, edhe në raste kur nuk ishte e kënaqur me veprimet e tyre. Kjo sepse Shtetet e Bashkuara, mendoj se ndjejnë një lloj përgjegjësie atërore për rolin e tyre për t’i dhënë fund represionit serb ndaj qytetarëve të Kosovës nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja në vitin 1999 dhe më pas në të qenit një nga ‘patronët’ e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Pra, ka shumë besnikëri në Uashington dhe sigurisht administrata e (Joe) Biden dhe njerëzit brenda saj, shumë prej tyre, përfshirë vetë presidentin, ishin shumë të angazhuar në të dyja këto veprime, pra, si senator, ishte shumë i interesuar për Kosovën. Kështu që mendoj se ka ende një shkallë besnikërie në Shtetet e Bashkuara ndaj Kosovës, por nuk është, nuk është pa fund dhe kjo e ka dëmtuar qartë atë marrëdhënie shumë të veçantë.

Advertisement