Connect with us

Shkrime

Analistja amerikane ndez sirenat/ Kosova, provë zjarri për NATO-n

Fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit u shënuan nga një sërë ngjarjesh në dukje të lidhura. Diku rreth dyvjetorit të fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, dhe në mes të një ofensive diplomatike të BE-së për të përshpejtuar integrimin evropian në Bosnje Hercegovinë, Presidenti i entiteti Republika Srpska Milorad Dodik shkoi për të vizituar dy vendet që janë nën sanksione, në Bjellorusi dhe Rusi, ku u takua me presidentët  Aleksandër Lukashenko dhe Vladimir Putin.

Në një intervistë për ‘Slobodna Bosna’, profesoresha Ivana Stradner, studiuese amerikane e luftërave hibride ruse dhe këshilltare e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë nga Uashingtoni ka sqaruar se askush nuk mund të parashikojë se kur do të përfundojë lufta, por sipas saj një gjë është e sigurt. Putini po bën një “luftë sfilitjeje” me synimin për ta bërë atë të zgjasë sa më shumë. Ajo gjithashtu ka ndërlidhur edhe sulmin që u krye në Banjskë në shtator të vitit të kaluar dhe dezinformatat që Rusia nisi pak përpara se ky sulm të ndodhte.

“Putini nuk do të ndalet në Ukrainë, sepse për të kjo është një luftë ideologjike për të lënë një trashëgimi” – deklaroi Stradner, sipas së cilës, Putini ka oreks për të pushtuar vendet baltike, Poloninë dhe fqinjët e tjerë.

“Putini gjithashtu dëshiron të krijojë një botë multipolare, dhe kjo është arsyeja pse ju shihni një bashkëpunim gjithnjë e më të ngushtë midis ‘boshtit të ri të së keqes’ që përbëhet nga Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani. Moska gjithashtu dëshiron të tregojë se NATO është një tigër letre. Një gjë është e sigurt: Putini nuk dëshiron të negociojë. Ai do ta përdorte çdo negociatë për të blerë kohë, për të riorganizuar ushtrinë dhe për të shtuar armatimin” – shpjegoi Stradner, e cila paralajmëroi se Rusia po bën një luftë hibride në Bosnje Hercegovine.

“Putinit nuk i intereson pushtimi i Ballkanit. Ai e sheh kete Rajon ekskluzivisht për të çuar përpara interesat e tij në Evropë. Putinit i pëlqejnë konfliktet e ngrira, në mënyrë që t’i shkrijë gjithmonë kur i përshtatet kaosit të tij. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për të për shkak të Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës, të cilat janë pika të ndjeshme në rajon dhe që gjithmonë mund të ndezin tensione dhe të çojnë në konflikte” – theksoi Stradner, sipas së cilës,  Putini dhe Moska gjithçka po e bën për dy qëllime.

“Së pari, për të larguar vëmendjen nga Ukraina dhe për të frikësuar Perëndimin se një front i ri do të hapet në Evropë nëse nuk bëjnë lëshime ndaj Moskës. Së dyti, Putini ka një qëllim strategjik për të treguar se NATO është një tigër letre”.

“E pamë vitin e kaluar kur 90 anëtarë të NATO-s u plagosën në veri të Kosovës, kur serbët u përleshën me policinë dhe pjesëtarët e KFOR-it. Disa muaj më vonë ndodhi Banjska” – tha analistja amerikane dhe paralajmëroi se mund të ketë një raund të dytë të përshkallëzimit të situatës këtë vit nga strukturat proruse në Maqedoninë e Veriut, gjë që do t’i ndërlikojë edhe më tej gjërat në Kosovë dhe do të jetë një tjetër provë zjarri për NATO-n. Edhe në Bosnje, Dodik po teston Perëndimin me ndihmën e Rusisë. Duhet të kujtojmë se ai se kërcënoi përfaqësuesin e lartë të komunitetit ndërkombëtar, gjermanin Christian Schmidt-in për ta arrestuar, prandaj edhe Perëndimi ka frikë nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës” –  komentoi Stradner, teksa dhe kujtoi fushatën dezinformuese që Rusia nisi para sulmit në Banjskë.

“Në vitin 2023 ka qenë raundi i parë i përshkallëzimit. Tani mund të presim raundin e dytë. Vitin e kaluar, media ruse zhvilloi një fushatë të fortë dezinformimi përpara Banjskës se Perëndimi po hapte një front të dytë lufte. Ata gjithmonë e bëjnë këtë përpara se të rindezin tensionet. Narrativa që vjen nga Moska është identike me atë të vitit 2023. E vetmja gjë e mirë është se Perëndim e ka kuptuar, prandaj Britania e Madhe dhe Gjermania rritën numrin e ushtarëve në Kosovë” – Potencoi Stradner

Advertisement