Rajon
Analiza: Cila do të ishte kostoja e vizitës së Vuçiç në Moskë për Serbinë?

Vizita e paralajmëruar shumë herë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Moskë, po shihet me shqetësim për shkak të pasojave të mundshme për rrugën evropiane të Serbisë.
Vendimin për të marrë pjesë në paradën e Ditës së Fitores kundër fashizmit më 9 maj, Vuçiq e bëri të ditur në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Nëse Vuçiq udhëton në Moskë, ku do të takohej për herë të parë fizikisht me Putinin që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, kjo do të ketë pasoja serioze për procesin e integrimit evropian të Serbisë, vlerëson për Radion Evropa e Lirë diplomati në pension, Sreqko Gjukiq.
“Kjo mund të jetë e dobishme për regjimin serb, por nuk është aspak e dobishme për rrugën evropiane të Serbisë, as për Bashkimin Evropian si një entitet i fuqishëm ekonomik e politik në arenën ndërkombëtare dhe, sigurisht, as për vendet e tjera kandidate për anëtarësim në BE”, shpjegon Gjukiq.
Serbia është në negociata për anëtarësim në BE që nga viti 2014. Ajo nuk është rreshtuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, dhe autoritetet në Beograd kanë vazhduar marrëdhëniet me Moskën edhe pas vitit 2022, përkundër paralajmërimeve nga Brukseli.
Paralajmërimi më i fundit erdhi nga komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, e cila vizitoi Beogradin në fund të prillit.
Në një konferencë për media më 29 prill, ajo tha se “është vendim i presidentit të Serbisë nëse do të shkojë në Moskë”, por paralajmëroi se nëse Vuçiq shkon, ajo do ta ketë “shumë më të vështirë ta ndihmojë Serbinë të mbetet fuqishëm në rrugën evropiane”.
“Të shkosh në Moskë dhe të festosh me Putinin apo me ushtrinë e tij që vret njerëz në Ukrainë është thellësisht në kundërshtim me vlerat evropiane dhe vendimin e Këshillit të BE-së të vitit 2022 që shtetet anëtare të mos ndërmarrin asnjë veprim që do të legjitimonte Putinin dhe Rusinë”, tha Kos.
Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë ende përgjigje për pyetjet e REL-it lidhur me paralajmërimin e Vuçiqit për vizitën në Moskë.
Pas vitesh balancimi mes Perëndimit dhe Lindjes, rruga evropiane e Serbisë është komprometuar, vlerëson ish-diplomati Gjukiq.
Ai thotë se në rast të shkuarjes së Vuçiqit në Moskë, “duhet pritur veprime të caktuara” nga Brukseli.
“Është e mundur që nga arsenali i pasur që BE ka ndaj Serbisë – përfshirë ndihmat financiare, donacionet, mbështetjen politike dhe regjimin pa viza – të gjitha ose një pjesë të rishikohen dhe të vihen në pikëpyetje”, thotë Gjukiq.
Bashkimi Evropian është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë. Nga vendet e BE-së vjen edhe pjesa më e madhe e investimeve të huaja direkte.
Gjukiq shton se afërsia e Serbisë me Rusinë nuk rrezikon vetëm rrugën e saj drejt BE-së, por ndikon negativisht edhe te shtetet e tjera kandidate për anëtarësim.
“Nuk është më e mundur të luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo duhet të marrë fund”, përfundon ai.
Për Jelica Kurjak, ish-ambasadore e Serbisë në Moskë, paralajmërimi i Vuçiqit për vizitën në Moskë është më shumë një mesazh për BE-në, sesa për Putinin.
“Ai ndoshta mendon se me këtë do t’i tregojë BE-së se nuk varet vetëm nga ata, se ka Rusinë pas vetes, dhe kështu përpiqet të forcojë imazhin e tij, për t’i bërë presion”, vlerëson Kurjak.
Sipas saj, nuk ekziston asnjë arsye tjetër e justifikueshme. Ajo përmend edhe kritikat që i janë bërë autoriteteve në Beograd nga BE-ja për shkak të protestave të zgjatura të studentëve, që kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave nga shembja e një strehe betoni në stacionin e trenit në Novi Sad.
Sa i përket negociatave për kompaninë NIS dhe furnizimet me gaz natyror rus, Kurjak thotë se nuk është i nevojshëm një takim ballë për ballë mes Vuçiqit dhe Putinit.
“Në këtë rast konkret me NIS-in, nuk varet asgjë nga Rusia. Amerika ka vendosur sanksione ndaj kompanisë që bleu kompaninë tonë. Pra, Amerika do të vendosë kur dhe çfarë do të ndodhë”, thekson Kurjak.
SHBA-ja e shtyu për herë të tretë zbatimin e sanksioneve ndaj NIS-it në fund të prillit, edhe pse kompania është në listën e zezë që nga 10 janari për shkak të lidhjeve me Gasprom Neftin rus, që ndodhet nën sanksionet perëndimore për shkak të agresionit në Ukrainë.
Kur flitet për një marrëveshje të re për gazin, marrë parasysh që ajo aktuale skadon në fund të majit, Kurjak kujton se marrëveshja e fundit ishte arritur në maj 2022 – tre muaj pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia – pa pasur nevojë që Vuçiq të shkonte në Moskë.
Nga liderët evropianë, pjesëmarrjen në Moskë e kanë konfirmuar vetëm Vuçiq dhe kryeministri sllovak Robert Fico, një aleat i afërt i Kremlinit.
Vizitën e ka paralajmëruar edhe Milorad Dodik, presidenti i entitetit serb në Bosnje e Hercegovinës, Republika Srpska. Dodik është takuar disa herë me Putinin që nga fillimi i agresionit rus, për herë të fundit më 1 prill.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të qëndrojë në Rusi nga 7 deri më 9 maj, në kuadër të një vizite zyrtare që përfshin takime bilaterale dhe nënshkrim marrëveshjesh.
Sipas agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti, pjesëmarrjen në paradë më 9 maj e kanë konfirmuar edhe presidentët e Bjellorusisë, Kazakistanit, Azerbajxhanit, Venezuelës, Brazilit dhe përfaqësues nga Kongo e Burkina Faso.
Që nga dhjetori i vitit 2021, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociues apo klaster të ri me BE-në. Për hapjen e një klasteri nevojitet konsensus i plotë nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Që nga viti 2014, kur nisi zyrtarisht negociatat, Brukseli e ka përmendur vazhdimisht çështjen e marrëdhënieve me Kosovën si pengesën kryesore. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE ka ngecur.
Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Serbinë janë listuar probleme serioze si, gjendja e sundimit të ligjit, korrupsioni i përhapur, kontrolli shtetëror mbi mediat, ndikimi i qeverisë në gjyqësor, mungesa e dënimeve për krimet e luftës të viteve e ’90-ta dhe lartësimi i kriminelëve të luftës. Po ashtu është theksuar mospërputhja me politikën e jashtme të BE-së.
Gjatë vizitës së saj në Beograd, komisionerja Kos ka theksuar nevojën për reforma në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe përmirësimin e procesit zgjedhor.
“Punoni me ne për reformat, në mënyrë që anëtarësimi juaj në Bashkimin Evropian të jetë i mundur”, u shpreh Kos pas takimit me kryeministrin e Serbisë, Gjuro Macuta, më 29 prill.
Serbia është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh një fond prej gjashtë miliardë eurosh. Megjithatë, për shkak të mungesës së përparimit në dialogun me Kosovën, as Serbia e as Kosova nuk kanë përfituar ende nga faza e parë e këtij plani që parasheh para në formë paradhënieje.

