Connect with us

Bota

Analiza e BBC: Kaosi 24 orësh i shefit të Wagner në Rusi

Për një natë dhe një ditë të gjatë qershori, lideri famëkeq mercenar i Rusisë, Yevgeny Prigozhin, organizoi një kryengritje, duke dërguar një autokolonë të blinduar drejt Moskës dhe duke vënë në pikëpyetje kontrollin mbi pushtetin të Vladimir Putinit. Presidenti rus e akuzoi ish-aleatin e tij për tradhti se kishte nisur një rebelim të armatosur me “një thikë në shpinë ndaj vendit”.

Por nga fundi i së shtunës, Prigozhin e kishte anuluar gjithçka dhe urdhëroi njerëzit e tij të ktheheshin në bazë. “Në 24 orë arritëm në 200 km nga Moska. Në atë moment nuk derdhëm asnjë pikë gjakut të luftëtarëve tanë,” tha ai. 24 orë kaos, por në fakt dhe aq shumë nga që ndodhi nuk e dimë.

A po planifikonte një grusht shteti shefi i Wagner-it?

Prigozhin thoshte se ishte i bindur se ky ishte “një marshim për drejtësi”, jo një grusht shteti. Sido që të ishte, ai mori fund shumë shpejt. Për muaj të tërë ai ka luajtur një rol jetik në fushatën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke rekrutuar mijëra persona në grupin e tij mercenar Wagner, veçanërisht nga burgjet ruse.

Ai ka qenë prej kohësh në një mosmarrëveshje publike me krerët ushtarakë që drejtonin luftën, por kjo u shndërrua në revoltë të hapur pasi ata kërkuan të fusin forcat e tij nën strukturën e tyre komanduese deri më 1 korrik.

Luftëtarët e Wagner kaluan nga Ukraina e pushtuar lindore në qytetin e madh jugor rus të Rostov-on-Don. Më pas u zhvendosën në autostradën kryesore nëpërmjet Voronezh, rrugës për në Moskë. Ndihej si një moment përcaktues në pushtimin 16-mujor të Rusisë ndaj Ukrainës. Por ndërsa autokolona e Wagner-it u nis drejt veriut, erdhi lajmi për një marrëveshje, të ndërmjetësuar në mënyrë të çuditshme nga udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Pak besojnë se historia është kaq e thjeshtë, por nëse Kremlini ka të drejtë, ky mund të jetë fundi i rolit të Prigozhin në luftë dhe në vetë Rusinë. Ai po shkon në Bjellorusi dhe nuk do të përballet me akuza penale, thotë Kremlini. Luftëtarëve të tij u është premtuar amnisti. A ishte krejtësisht pa gjak? Kjo është e paqartë pasi të paktën një helikopter ushtarak u rrëzua. Dhe se cilat janë pasojat e kësaj për Vladimir Putin është një çështje tjetër.

Wagner kundër shefave ushtarakë të Rusisë

Prigozhin ka sulmuar për muaj me radhë ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e forcave të armatosura Valery Gerasimov për dështimin e tyre për të furnizuar mercenarët e tij me pajisje dhe municione të mjaftueshme. Kur Presidenti Putin mbështeti afatin e Shoigu dhe Gerasimov për të detyruar të gjitha grupet mercenare që luftojnë në Ukrainë të nënshkruajnë kontratat e ministrisë së mbrojtjes, Pripgozhin refuzoi, duke e parë atë si një sfidë për ndikimin e tij.

Në një fjalim të gjatë më 23 qershor, ai u tha rusëve se i gjithë justifikimi për luftën e tyre në Ukrainë ishte një gënjeshtër dhe thjesht një justifikim për “një grup të vogël të poshtër” për të promovuar veten dhe për të mashtruar publikun dhe presidentin. Më pas erdhi një përshkallëzim i jashtëzakonshëm në mosmarrëveshjet mes tyre.

Prigozhin akuzoi ushtrinë ruse për organizimin e një sulmi vdekjeprurës ndaj njerëzve të tij në Ukrainë. Ushtria mohoi nisjen e një sulmi dhe videoja që Prigozhin nxori si provë nuk tregonte asgjë. Të premten vonë ai njoftoi se “marshimi i tij për drejtësi” kishte nisur.

“Jemi 25 mijë veta dhe do të zbulojmë pse ka një kaos të tillë në vend. Të gjithë ata që duan, bashkohuni me ne” – bërtiste Prigozhin. Gjenerali Sergei Surovikin, zëvendës komandant i forcave në Ukrainë, i bëri thirrje atij që të tërhiqet dhe t’i nënshtrohet autoritetit të Presidentit Putin.

Duke lëvizur forcat e tij përtej kufirit në Rostov-on-Don gjatë natës, ai pretendoi kontrollin e shtabit ushtarak nga ku po drejtohej lufta dhe videot tregonin njerëzit e tij në qendër të qytetit duke mos hasur në asnjë rezistencë. Të shtunën në mëngjes ai deklaroi: “Ne jemi brenda shtabit [ushtarak]”. Qyteti, tha ai më vonë, ishte marrë “pa anjë të shtënë”.

Shërbimi rus i sigurisë FSB hapi më pas një çështje penale. I gjithë rajoni i Moskës u vu në alarm nën një “regjim të rreptë të operacionit kundër terrorizmit”. Kjo ndodhi kur forcat e Prigozhin arritën në Voronezh në gjysmë të rrugës nëpërmjet autostradës nga Rostovi për në Moskë. Të shtunën në mëngjes, në dukje i ashpër dhe i vendosur, Vladimir Putin mbajti një fjalim 5-minutësh në televizionin shtetëror dhe bëri thirrje për unitet.

“Ajo që ne po përballemi është pikërisht tradhtia” – i tha ai kombit. Pa përmendur ish-aleatin e tij, ai tha se ata që qëndronin pas kryengritjes ushtarake kishin tradhtuar Rusinë dhe do të përgjigjeshin për të. Prigozhin mohoi menjëherë se kishte tradhtuar vendin e tij dhe më pas vijoi të kritikonte presidentin si “thellësisht të gabuar”.

Deri në këtë pikë, ai kurrë nuk e kishte arritur zemërimin e tij ndaj zotit Putin. Kolonat e automjeteve të blinduara të Wagner u panë menjëherë duke u nisur drejt autostradës përmes rajonit të Voronezh dhe më tej në veri në Lipetsk. Një depo karburanti u dogj nga një sulm ajror në Voronezh, megjithëse nuk ishte e qartë pse.

Prigozhin thoshte me bindje se ai nuk po sfidonte luftën e Rusisë në Ukrainë, por vetëm “kllounët” në krye të saj. Ai gjithashtu pohoi se nuk po kundërshtonte udhëheqjen e presidentit, edhe pse kërcënoi se do të shkonte drejt Moskës nëse kërkesat e tij ushtarake nuk plotësoheshin. Për disa orë Vladimir Putin dukej si një lider që kishte humbur kontrollin e situatës.

Më pas, të shtunën në mbrëmje, nga udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, një tjetër aleat i ngushtë i Putinit, erdhi fjala për një marrëveshje. Prigozhin do të nisej për në Bjellorusi dhe do të shmangte akuzat penale. Më vonë ai u pa duke u larguar nga Rostovi në një makinë. Luftëtarët e tij Wagner do t’i shpëtonin ndjekjes penale dhe ata që dëshironin mund të nënshkruanin kontrata me ministrinë e mbrojtjes.

Ku e lë Putinin kjo?

Në pamje të parë, ai duket i dobësuar, i manovruar nga Prigozhin dhe president i një vendi ku kaosi mbretëroi për një ditë të plotë. Të mbështetesh te lideri i Bjellorusisë për të shpëtuar ditën duket e vështirë. Ishte Rusia ajo që mbështeti Lukashenkon kur protestuesit e bllokuan vendin në vitin 2020, pas zgjedhjeve të konsideruara gjerësisht si të manipuluara. Presidenca ukrainase tha se Putin ishte lënë i poshtëruar.

Por ka edhe një këndvështrim tjetër, se rusët tani e kanë parë alternativën ndaj presidencës së Putinit dhe që për disa orë ajo dukej si anarki. Ushtria ka gjetur gjithashtu një mënyrë për të vënë nën kontrollin e saj një forcë potencialisht prej 25 mijë mercenarësh. Kjo ende duhet të ndodhë, por udhëheqësi i tyre, Yevgeny Prigozhin është tashmë jashtë skenës.

Marrë dhe përshtatur nga BBC. 

Advertisement