Connect with us

Shkrime

Analiza e një Eksperimenti të Korruptuar: Zgjedhjet në Shqipëri

Nga Sonila Meço 

1. Hipoteza (Qëllimi i Eksperimentit)

Zgjedhje demokratike që:

• Pasqyron vullnetin e popullit.

• Mundëson ndryshimin pushtetit me votë.

• Të legjitimojë qeverisjen përmes një procesi të drejtë dhe të lirë.

2. Struktura e Eksperimentit (Sistemi Zgjedhor)

• Metoda: Përfaqësim proporcional rajonal (me lista të mbyllura e të hapura) pa korrektim kombëtar. Pa koalicione parazgjedhore.

• Subjektet: Qytetarët me të drejtë vote, brenda e jashtë Shqipërisë

• Variablat:

E pavarur: Preferencat e votuesve.

E varur: Rezultati zgjedhor (përbërja e parlamentit).

• Kontrolli: Ligjet zgjedhore, organet mbikëqyrëse, drejtësia e pavarur.

3. Natyra e Korrupsionit (Çfarë shkoi keq?)

Probleme sistemike që “korruptuan” eksperimentin demokratik:

• Blerja dhe shantazhi i votës: Raste të dokumentuara të manipulimit përmes presionit financiar, politik, social dhe kriminal (patronazhimi, zyrtarë pranë Qendrave të Votimit, njerëz me precedentë penalë edhe brenda Qendrave të Votimit, treni “bullgar”, zyra të padeklaruara elektorale, marrje kartash identiteti, blerje vote)

• Orientimi i votës përmes presionit ndaj administratës publike, përdorimit ekstrem të burimeve publike (punësimet elektorale, bonuset e pensionit, falja e gjobave, inaugurimet elektorale, asfaltet elektorale, amnistitë elektorale, zbarkimet e stafeve të ministrive e zyrave shtetërore në terrenin e fushatës, kontrolli ndaj administratës publike prej 185,000 personash)

• Parregullsi masive në administrimin e votës së diasporës. Inxhinierim edhe më i egër e joligjor se ai i votës brenda.

• Kontrolli i medias: Media nën kontroll qeveritar si në asnjë palë zgjedhje (përveç të parave pas rënies së komunizmit) kufizoi informimin e qytetarëve dhe u vu në funksion të propagandës së pushtetit.

• Frikësimi: Kërcënime apo presion nga struktura partiake, shpesh me lidhje kriminale gjatë fushatës, procesit zgjedhor dhe atij të votimit.

• Institucione të dobëta: Agjenci ligjzbatuese, komisione, SPAK apo gjykata që nuk vepruan në mënyrë të pavarur, në kohë, ose reaguan sipas urdhrave të pushtetit. (Mungesa e reagimit për skandalin e 6 telefonatave denoncuese në 2 orë në zyrën e padeklaruar patronazhiste në Tiranë, mungesa e policisë në Vorë, selektiviteti i ndjekjeve penale në dëm të opozitës, mos funksionimi i Task Force të SPAK në parandalimin dhe kapjen në flagrancë të krimit masiv elektoral, apatia e policisë justifikuar me angazhimin për Giro d’Italia)

• Sistemi shpërpjestimor elektoral, që me të njëjtin numër votash partisë në pushtet i garanton 10 mandate më shumë. Favorizimi numerik në tavolinë i partisë në pushtet nga formula e ndarjes së mandateve. Sistemi, pa korrektim kombëtar nuk respekton parimin e përfaqësimit, duke “dënuar” çdo parti të vogël e të madhe opozitare, sidomos kur nuk ndodh bashkimi, ose koalicioni parazgjedhor (ky i fundit i pamundur me ndryshimet e njëanshme të kodit para zgjedhjeve 2021)

4. Rezultatet (Çfarë u vu re?)

• Partia në pushtet e përfshirë në skandale e afera të mëdha, denoncuar nga opozita merr thuajse të njëjtin numër votash si në zgjedhjet 2021, po shton 10 ulëse në parlament me shumicë të cilësuar.

• Krijimi i partive të reja opozitare, që nuk u lejohet koalicion parazgjedhor, por edhe pa vullnet për t’u bashkuar, megjithëse të qarta mbi “dëmin” e përçarjes opozitare në një sistem pa korrektim kombëtar favorizoi me 10 mandate plus pa asnjë votë më shumë pushtetin dhe dëmtoi opozitën. Partitë e reja të vogla, LB, NSHB, Mundësia kanë marrë mbi 120,000 vota nga rezervuari i PD-së, duke mos e gërryer dot PS-në e duke mos përkthyer votën në mandate të merituara. Pra PS, ndërsa organizoi një batërdi elektorale për të mbajtur votën, opozita e pabashkuar ndau votën mes vedi.

• Perceptim i paligjshmërisë: Moslegjitimim nga ana e partisë më të madhe opozitare, akuza të dokumentuara për mashtrime dhe vjedhje masive të votës.

• Struktura të ngulitura të pushtetit: Dominim i një partie, që mund të realizojë e vetme ndryshime kushtetuese, ligje organike e reforma pa patur nevojë për opozitën.

• Skepticizëm ndërkombëtar: BE dhe OSBE raportuan parregullsi serioze në vlerësimet e tyre. Mediat prestigjoze ndërkombëtare edhe një herë përcaktuan Shqipërinë si autokraci, narko-shtet dhe të kapur nga mafia.

• Shpopullimi ka ndryshuar konfigurimet demografike

• Zhgënjim publik: Rënie e besimit nga inxhinierimi i votës. Tronditje e shpresës. Mos përkthim i frymës antipushtet në votë dhe dënim publik pushteti.

5. Përfundime

Nëse i trajtojmë zgjedhjet në Shqipëri si një “eksperiment” politik për demokracinë:

• Rezultatet eksperimentale janë të paqarta për shkak të ndërhyrjeve sistemike. Analiza e shifrave dhe preferencave nuk çon në përfundim logjik mbi shprehjen e vullnetit të qytetarëve, por kontrollit mbi ta nga pushteti.

• Hipoteza dështon: Procesi nuk pasqyron standardet demokratike.

• Riprodhimi i pamundur: Çdo zgjedhje e re rrezikon të përsërisë të njëjtat rezultate në ndarjen pushtet-opozitë pa ndryshime thelbësore kushtesh, sistemi, fuknsionim drejtësie (SPAK, Gjykata, KAS), institucioneve zgjedhore të pavarura, mobilizim të shoqërisë civile jashtë ndikimit të pushtetit dhe lobimeve në favor të tij, në varësinë e ndërsjellë oligarkike-pushtetare, në strategjinë dhe përfaqësimin opozitar në publik, në lista, fragmentarizimin me qëllim a naivisht të opozitës, por edhe modusin “mbijetesë” e “bukë goje” në operandin shoqëror.

Pra kush ka vendos me jetu këtu, me e rrit fëmijën këtu, me u ngrys e u plak në Shqipëri nuk mund t’i nënshtrohet më logjikës së marrisë së eksperimentit me rezultate të ndryshme e kushte të njëjta. Dhe o do të protestosh e reagosh pa fatalizëm në emër të cilësisë së jetës me ndoca doza dinjitet o qendro aty në cepin e cinizmit tënd me përcaktimin e merituar nga Sulltani që krijove me kompromiset e tua: “Çyryk” i palumtur.

 

Advertisement