Connect with us

Bota

Analiza e The Guardian/ A e dha Donald Trump dritën jeshile për të sulmuar Iranin?

he Guardian i ka kushtuar një analizë qasjes së presidentit amerikan, Donald Trump mbi rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Donald Trump po ecën në një linjë të hollë teksa pretendon se ka qenë plotësisht në dijeni të planeve të Izraelit për të ndërmarrë sulme ajrore masive ndaj Iranit, ndërkohë që vijon të distancohet nga këto sulme dhe të mohojë çdo përfshirje aktive të Uashingtonit në përgatitjet për to.

Mesazhet nga Shtëpia e Bardhë kanë ndryshuar shpejt – nga përshkrimi i sulmit nga senatori Marco Rubio si një “veprim unilateral” i Izraelit, në deklaratën e Trump-it të premten në mëngjes se ai ishte i përfshirë plotësisht në operacion dhe se sulmi erdhi pas një ultimatumi 60-ditor që i kishte dhënë Iranit për të arritur një marrëveshje për programin e tij bërthamor.

Kjo qasje e Trump e paraqet situatën si një lojë “polici i mirë/polici i keq” mes tij dhe Benjamin Netanyahut, kryeministrit izraelit me të cilin ka pasur një marrëdhënie të trazuar. Tani, presidenti amerikan po përpiqet të paraqesë sulmet izraelite – të cilat ai publikisht tha se nuk i dëshironte të enjten – si pjesë të përpjekjeve të tij për ta shtyrë Iranin të negociojë.

“Ata duhet të vijnë tani në tryezë për të bërë një marrëveshje, përpara se të jetë tepër vonë,” tha Trump.

Megjithatë, përgjigjja e çrregullt e SHBA-së ndaj këtyre sulmeve – përfshirë deklaratën e Rubio-s, evakuimin e nxituar të disa personave të personelit amerikan nga rajoni dhe pasigurinë mbi ndihmën e mundshme të SHBA-së me inteligjencë apo përfshirje në mbrojtjen e Izraelit ndaj një kundërsulmi të mundshëm – ka ngritur dyshime se ndoshta Izraeli ka vepruar përpara me qëllim që t’i impononte një fakt të kryer administratës Trump.

Elliott Abrams, ish-diplomat dhe studiues në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë sugjeroi se Izraeli shtyu më fort për sulme, ndërkohë që administrata Trump kërkonte të ruante një rrugë diplomatike. “Izraelitët goditën dhe sot Trump e quajti ‘të shkëlqyer’.”

Edhe pse Izraeli kishte njoftuar SHBA-në paraprakisht për sulmin, pohimet në media shtetërore izraelite se çdo gjë ishte koordinuar plotësisht me Uashingtonin janë vënë në pikëpyetje. A ishte Trump realisht në dijeni, apo po përpiqet tani të ripozicionohet, duke e paraqitur ndërhyrjen si pjesë të një strategjie të qartë?

Të enjten, në deklaratat e bëra nga Salla Lindore e Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se një sulm i mundshëm ndaj Izraelit mund të “shpërthente” përpjekjet e tij diplomatike për të negociuar me udhëheqësinë iraniane dhe deklaroi se “nuk dëshironte që ata [izraelitët] të ndërhynin”. Ai mbrojti vendimin për të nisur evakuimin e personelit, duke thënë se një sulm “mund të ndodhte fare mirë”.

“SHBA nisi evakuimin vullnetar të personelit jo-thelbësor të mërkurën, vetëm 24 orë përpara, jo kohë e mjaftueshme për të nxjerrë njerëzit nga rreziku,” tha Rosemary Kelanic, drejtoreshë për Lindjen e Mesme në think-tank-un Defense Priorities. “Pyetja për mua është: çfarë dinte presidenti dhe kur e mësoi atë?”

Të premten, Trump i tha Wall Street Journal se nuk ishte kapur në befasi nga sulmi: “Paralajmërim? Nuk ishte paralajmërim. Ishte: ne e dimë çfarë po ndodh.” Ai shtoi se ishte informuar edhe për planet e ardhshme izraelite, duke shkruar se “sulmet e tjera tashmë të planifikuara” do të jenë “edhe më brutale”.

Zyrtarë të lartë izraelitë nisën të informonin mediat se Trump vetëm kishte bërë sikur kundërshtonte sulmin dhe në fakt kishte dhënë “dritën jeshile” për të. Por ekspertë si Kelanic theksojnë se Izraeli mund të jetë duke kërkuar mënyra për ta “tërhequr” SHBA-në në një konflikt të drejtpërdrejtë.

Gjithsesi, është e vështirë të besohet se Izraeli mund të ketë përgatitur një sulm të këtij niveli brenda një jave pa dijeninë e SHBA-së.

Agjencitë amerikane të inteligjencës, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes, do të kishin vënë re përgatitjet për një sulm ajror të përmasave të tilla – më shumë se 200 avionë luftarakë izraelitë që goditën mbi 100 objektiva në të gjithë Iranin – dhe me gjasë do të kishin kuptuar se po përgatitej një sulm i madh ndaj Teheranit.

Të enjten vonë, zyrtarë të administratës i thanë Fox News se SHBA kishte furnizuar sërish Izraelin me raketa për sistemin mbrojtës Iron Dome javët e fundit, në pritje të një kundërsulmi të mundshëm.

Gjithashtu, SHBA kishte vendosur bombarduesit B-52 në bazën ajrore në ishullin Diego Garcia në Oqeanin Indian, ku ndodhen edhe bombardues B-2 që nga fundi i marsit. Këta të fundit kishin marrë pjesë në sulmet ndaj rebelëve Houthi në Jemen më herët këtë vit, por baza mund të shërbejë gjithashtu si pikënisje për sulme ndaj Iranit në rast se SHBA përfshihet në konflikt.

Megjithatë, ka edhe shpjegime të tjera për furnizimin e Iron Dome-it me raketa, sidomos pas breshërisë së paprecedentë të raketave balistike që Irani lëshoi ndaj Izraelit vitin e kaluar.

SHBA gjithashtu mund të përdorë B-2 dhe B-52 për të goditur objektiva strategjikë si qendra e pasurimit të uraniumit në Fordow, e cila ndodhet thellë nëntokë dhe duket se nuk është goditur në sulmet e së premtes në mëngjes. Kjo qendër, ende e paprekur, mbetet një element i rëndësishëm i programit bërthamor të Iranit – të paktën për këtë raund të parë të sulmeve izraelite./ The Guardian.

 

Advertisement