Aktualitet
Analiza e VOA: Gjuha e urrejtjes po përdoret gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale në Shqipëri
Në Shqipëri gjuha e urrejtjes po përdoret gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale. Në diskutimet që shoqërojnë lajme të ndryshme në këto platforma, studiuesit vënë re se në mjaft raste ajo ashpërsohet deri në nxitje të dhunës dhe vrasjeve. Kjo dukuri së fundi vihet re pas konfliktit të armatosur mes Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme. Nxitja e urrejtjes e fyerjes apo kanosjes nëpërmjet sistemit kompjuterik përbën vepër penale, por zbulimi i autorëve paraqet vështirësi.
Në Shqipëri, studiuesit po hasin gjithnjë e më shumë përdorimin e gjuhës së urrejtjes në platformat sociale të komunikimit. Ajo pason një zhvillim apo ngjarje të posaçme, e cila edhe pse mund të mos ketë lidhje të drejtpërdrejtë me vendin dhe jetën e individëve, ata përfshihen në komunikime dhe debate masive, përmes një gjuhë që mbart armiqësi dhe urrejtje.
Sipas njohësve të zhvillimeve shoqërore dhe Komisionerit për mbrojtjen nga Diskriminimi së fundi në rrjetet sociale vihet re me shqetësim përdorimi i fyerjes dhe gjuhës së urrejtjes në komentet që shoqërojnë lajmet mbi konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme. Mes tyre ka thirrje të hapura për vrasje të izraelitëve apo arabëve në Gaza, dhe komentet ndahen sipas përkatësisë së palëve në konflikt.
Aktualisht monitorimi i komenteve në rrjete sociale, paraqet vështirësi për policinë, prokurorinë apo Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, kur bëhet fjalë për identifikimin e autorëve, e megjithatë kjo situatë nuk ka kaluar pa u vënë re.
“Ende nuk kemi një monitorim sepse është e vështirë të monitorohen të gjitha komentet, në të gjitha rrjetet sociale. Kur bëhet fjalë për thirrje për të vrarë apo ushtruar dhunë kundrejt grupeve të caktuara që kanë një përkatësi, qoftë kjo etnike apo fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër, këto janë të dënueshme penalisht” – u shpreh për Zërin e Amerikës Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Edmond Dragoti pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës, bën këtë vlerësim mbi gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale, që pasojnë ngjarjet mbi konfliktin e armatosur Izrael-Hamas. Disa prej tyre nxisin dhunën ndaj hebrejve dhe disa të tjera ndaj arabëve.
“Në rrjetet sociale ka një mungesë kufijsh për përdorimin e gjuhës. Në këtë kuptim i jepet liri emocionit dhe jo arsyes. Prandaj aty hasen shumë gjykime, paragjykime. Hasen drejtpërdrejt qëndrime armiqësore agresive. Mungon identiteti i tyre në shumicën e rasteve. Nuk kanë përgjegjësinë e mjaftueshme për ato që thonë. Ndërkohë që në institucione të veçanta qëndrimet janë solide, serioze, korrekte dhe pa emocione” – tha për Zërin e Amerikës Edmond Dragoti, Pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Në mjaft shtete që pas sulmit të Hamasit në Izrael dhe fillimit të konfliktit të armatosur bëhet thirrje për paqe. Edhe në Shqipëri pak kohë më parë u mbajt një tubim i tillë ku i drejtohej thirrja Izraelit të ndalë luftën dhe krimet ndaj popullsinë civile në Gaza.
Nga ana tjetër studiuesit vënë re se gjuha e urrejtjes që përdoret në rrjete sociale ndaj hebrejve, e cila nxit vrasje, edhe pse nuk përfaqëson qëndrimet e popullit shqiptar, ja vlen të analizohet në kufijtë e historisë. Komisioni për mbrojtjen nga diskriminimi i referohet ndihmës që dhanë shqiptarët për hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Nga ana tjetër kjo tregon aspektin kontradiktor. Ne jemi një shoqëri që krenohemi me faktin që në sajë të mikpritjes tonë ne i kemi ndihmuar hebrejtë, në momentin e tyre më të vështirë të jetës, dhe nga ana tjetër kur lexojmë komente të tilla na japin një perceptim jo shumë të qartë dhe të drejtë të popullit tonë karshi këtij populli” – vijoi Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Në Tiranë komuniteti fetar hebraik 10 vjet me parë ka hapur një sinagogë. Sokol Pirra përfaqësues i këtij komuniteti i tha Zërit të Amerikës se komentet në rrjetet sociale që frymëzojnë dhunë ndaj hebrejve duke marrë shkas nga lufta Izrael -Hamas, nuk e dëmtojnë bashkëpunimin me komunitetet e tjera fetare në Shqipëri.
“Ka ardhur Baba Mondi në Sinagogë, po ashtu dhe reu mysliman. Kemi ngrënë shabat bashkë. Njëkohësisht dhe ne kemi qenë në çdo festë që bëhet në Shqipëri. Rabini Joel Kaplan ka qenë shumë herë në komuntetin mysliman, me Baba Mondin, me katolikët, ortodoksët që do të thotë përcjell mesazhin se ne jemi shumë komunikues më njëri-tjetrin. Nuk ka gjë më të bukur”- u shpreh për Zërin e Amerikës, Sokol Pirra, përfaqësues i komunitetit hebre në Shqipëri.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, mendon se gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale, e orientuar në disa raste kundër hebrejve dhe në disa raste të tjera kundër palestinezëve në rastin e konfliktit Izrael-Hamas merr shkas në pjesën më të madhe nga dezinformimi.
“Dezinformimi është një nga pikat kyçe që ushqen në mënyrë të përhershme gjuhën e urrejtjes dhe kur vëmendja mediatike përqendrohet në një situate, ajo pastaj shprehet dhe sot njerëzit kanë mundësi të shprehin mendimet e tyre duke përdorur të gjitha platformat dhe është më e dukshme kjo gjë. Ju sjell në vëmendje ngritjen e shumë teorive konspirative gjatë pandemisë që lidhnin shumë situata me hebrejtë”- vijoi Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Edhe pedagogu Edmond Dragoti thotë se informacioni i pasigurt dhe i paqëndrueshëm është lehtësisht i interpretueshëm.
“Njerëzit besojnë gjërat që bien në sy, gjërat e veçanta pavarësisht se sa të vërteta janë ato dhe këto është shumë e lehtë t’i interpretosh dhe t’i kthesh në bazën e një armiqësie ose të një agresiviteti të caktuar”- vijoi Edmond Dragoti, pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës.
Nxitja e urrejtjes, fyerja dhe kanosja me motive të racizmit, etnisë, fesë apo kombësisë dhe ksenofobisë nepërmjet sistemit kompjuterik janë vepra penale. Kodi Penal parashikon gjobë dhe dënime nga 2 deri në 10 vjet burg. Por grupime shoqërore që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut vënë re së Kodi Penal duhet përmirësuar në këtë drejtim. Konkretisht Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sugjeron se në kushtet kur po diskutohet mbi hartimin e një Kodi të ri Penal nevojiten dispozita më të qarta që adresojnë gjuhën e urrejtjes me mjetet dixhitale, duke marrë në konsideratë zhvillimet teknologjike./ VOA