Connect with us

Bota

Analiza: Ku po “çalon” plani i Melonit për emigrantët?

Vendimi i Gjykatës së Romës për kthimin e emigrantëve të parë që u sollën në kampin e Gjadrit ishte i parashikueshëm. Sipas një analize që ka bërë “Corriere della Sera“, kjo situatë pritet që të përsëritet. Kjo pasi yë gjitha urdhrat e lëshuara në dy javët e fundit bazohen në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, e cila më 4 tetor ripërcaktoi kriterin e “vendit të sigurt” duke vendosur kufizime të rrepta për mundësinë e riatdhesimit të emigrantëve në vendet e tyre të origjinës. Çështja e shqyrtuar në Luksemburg kishte të bënte me një shtetas moldav i cili mbërriti në Republikën Çeke dhe u kërkuar dëbimi i tij. Por, siç ndodh gjithmonë me vendimet e Gjykatës së Drejtësisë, parimi duhet të zgjerohet dhe për këtë arsye zbatohet nga të gjitha shtetet anëtare.

Kjo do të mjaftonte për ta bërë të vështirë për ta kuptuar sherrin politik që shpërtheu dje. Qendra e djathtë u ‘sul’ menjëherë kundër gjyqtarëve, duke e cilësuar një vendim të bazuar në elementë politikë. Opozita nxitoi të pretendonte se Gjykata kishte të drejtë kur sulmoi marrëveshjen e nënshkruar me Tiranën. Por asnjë nga palët nuk trajtoi thelbin e vërtetë të problemit dhe pasojat që mund të ketë në Itali, por edhe në Evropë mbi menaxhimin e flukseve migrator.

Linja e zgjedhur nga qeveria Meloni me hapjen e qendrave në Shqipëri ka një objektiv ekskluzivisht parandalues, edhe sepse 3000 vende nuk mund të përfaqësojnë zgjidhjen e mbipopullimit të strukturave në Itali. Mesazhi është i qartë: mos u nisni për në Itali, edhe nëse keni ndërmend të shkoni në shtete të tjera evropiane, sepse ne do t’ju pengojmë dhe do jemi të vendosur që në asnjë mënyrë të mos e prekni tokën tonë.

Sot, kryeministrja italiane theksoi se kthimi i azilkërkuesve që u sollën në Gjadër si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar mes dy vendeve, nuk lidhet me Shqipërinë.

“Çështja nuk është Shqipëria, çështja është shumë më e gjerë. Në thelb, gjyqtarët thonë se nuk ka vende të sigurta. Kështu që unë ju komunikoj zyrtarisht se problemi nuk është në Shqipëri, problemi është se askush nuk mund të riatdhesohet, nuk mund të largoni njerëzit, nuk mund të bëni asnjë politikë për të mbrojtur kufijtë. Por shpresoj se do të më thoni edhe se si zgjidhet, si menaxhohet rendi publik, kush do të paguajë miliardat e mikpritjes që ne do të duhet të paguajmë. Do të gjej një zgjidhje edhe për këtë problem. Do të eci përpara. Është një çështje që do ta zgjidhim së shpejti,”-tha ajo.

Në një intervistë për Tg1, Salvini pyeti se cili do të mbante përgjegjësinë nëse nesër dikush nga këto 12 persona do të kryente një krim të rëndë, një përdhunim apo vrasje, kush do të ishte përgjegjës, gjykatësi?

“Nëse do të isha dënuar, problemi nuk do të ishte i imi, por i Italisë, sepse nga e nesërmja kontrabandistët dhe trafikantët do të dinin se ku do të shkonin. E njëjta gjë vlen edhe për marrëveshjen me Shqipërinë. Nëse themi se nuk mund të dëbojmë askënd, nëse ndonjë nga këta të dymbëdhjetë ka kryer një krim nesër, ka grabitur, përdhunuar, vrarë dikë, kush i paguan pasojat? Gjyqtari që i ktheu në Itali? Do të doja të dija pse mes të gjithë atyre që paguajnë për gabimet e tyre, magjistratët nuk paguajnë kurrë,”- tha ai.

Megjithatë, zbatimi i kësaj marrëveshjeje aktualisht është dëshmuar të jetë jashtëzakonisht i kushtueshëm nga pikëpamja ekonomike dhe mbi të gjitha praktike, duke përftuar kështu efektin e kundërt me atë të synuar. Është e vërtetë që kryetarja e komisionit Ursula von der Leyen foli për “zgjidhje inovative për të përballuar urgjencën”, madje edhe drejtues të tjerë të vendeve të Bashkimit Europian kanë shprehur mendime pozitive, por konsensusi nuk është unanim dhe në çdo rast është e nevojshme të merren parasysh kufizimet e vendosura nga rregullat dhe konventat e vetë BE-së. Rruga për një projekt të përbashkët duket ende e gjatë.

Çdo qeveri, nëse ka kapacitetet dhe numrat në Parlament, ka të drejtën dhe detyrën të çojë përpara programin e saj dhe në çështjet e drejtësisë ekzekutivi i drejtuar nga Giorgia Meloni po e bën kaq shpejt, sigurisht e ndihmuar edhe nga disa deputetë që janë në kampin e kundërt.

Këshilli i Ministrave do të mblidhet të hënën dhe në rendin e ditës është vendosja e një mase që do t’i lejojë qeverisë të kapërcejë ngërçin e krijuar nga vendimi i Gjykatës Evropiane. Zyrat legjislative të Palazzo Chigi-t dhe Ministrisë së Brendshme janë në punë, hipoteza është që urdhrat e gjyqtarëve të apelohen për të bllokuar efektin e tyre. Rruga gjyqësore, pra, është e vetmja e mundshme për momentin nëse nuk dëshiron të përkeqësohet një konflikt midis pushteteve që tashmë ka arritur nivele shumë të larta. Në momente delikate – dhe ajo që Italia po përjeton është për shkak të tensioneve të brendshme, por mbi të gjitha për shkak të krizës ndërkombëtare – bëhet thelbësore lëvizja me kujdes dhe përgjegjësi. Tani janë të vetëdijshëm se përplasjet institucionale, mund të shkaktojnë vetëm dëme të mëtejshme.

Advertisement