Connect with us

Politike

Analiza për vizitën e Ramës në Athinë/ Monika Stafa: Kthehuni në Itakë

Nga Monika Stafa

Rilindasit të parët dhe më pas brezi i Orës së Maleve të dytët e thanë: Kudo ku shqiptarët bashkohen, ata bëhen më të mirët dhe fitojnë. Dhe këtë për fat të mirë por edhe jo aq të mirë, historia e ka treguar. E sotmja gjithashtu tregon cdo ditë se armiku më i madh i shqiptarëve janë shqiptarët. Nuk është vetëm e Konicës kjo shprehje. Është e jetës. E bashkëjetesës në komunitet. Është e jona. Ne, kudo ku bashkohemi nuk na mposht dot askush.

Kësaj radhe edhe në Athinë. Pavarësisht kërcënimeve. Pavarësisht pengesave, shantazheve, kufijve detarë dhe ligjit të luftës, ja dolëm. Duke i dhënë kështu vetes mundësinë ta ndjekim me dinjitet atë shfaqje. Atë takim mes emigrantësh prej një stadiumi ku dje shqiptarët i ndoqi fshesa e egër

Kjo është DIASPORA. Mishi dhe gjaku ynë që na iku prej një armiqësie mes vetes. Na iku prej një tribalizmi mes klasash, vjedhjesh dhe grabitjesh.

Kthimi në Tokën e Shenjtë ka qenë aspiratë e miliona hebrenjve që prej mërgimit babilonas. Emigracioni në tokën e Izraelit pat filluar në vitin 1882. Që prej themelimi të shtetit të Izraelit në 1948, më shumë se 3 milionë hebrenj nga mbi 90 vende të botës u kthyen në tokën e tyre ku kishin pasur ëndrra të mëdha. E quajtur ndryshe si Alieyah, ky akt ishte një prej parimeve më themelore të ideologjisë zioniste. Ndaj dhe në Deklaratën e Pavarësisë së shtetit të Izraelit gjendet një pikë e vecantë mbi diapsorën duke i dhënë një rëndësi të patjetërsueshme asaj. Atë kohë, Ben-Gurion kryeministri i parë i Izraelit lëshoi piskamën ulëritëse të një lideri që po qeveriste një vend në nevojë.

Duhet me domosdo të shohim hebrenjtë kudo ku janë të vijnë dhe të marrin pjesë në përpjekjet tona këtu, për të ndërtuar shtetin e Izraelit. Sepse ne kemi nevojë për njohuritë e tyre teknike, përvojat e tyre të pakrahasueshme me tonat, shpirtin e tyre të sipërmarrjes dhe vizionin e tyre të guximshëm.

Ne kemi shumë nevojë për inxhinierë, kimistë, ndërtues, menaxherë të punës dhe teknikë. Detyrat me të cilat pret të përballet ky vend janë të tilla sa lind nevoja e apelimit të këtyre gjenive që po i shërbejnë botës e të huajve dhe jo vendit që për ta ka aq shumë nevojë. Por duhet bërë e qartë se vendimi nëse ata dëshirojnë të vijnë – përherë apo përkohësisht – qëndron sigurisht në diskrecionin e lirë të tyre. Kjo është krejtësisht një çështje e vullnetit të tyre. Vetëm se ne duhet me patjetër të bëjmë të pamundurën të na vijnë.

Ngjan bukur apo jo kjo thirrje?! Një thirrje zemre dhe shpirti. Mendjeje gjithashtu.

Prej samitit të dytë dhe të tretë që u mbajtën jo shumë vite më parë, kumti më në fund erdhi. Mund ta besonim se kjo mund të ndodhte në Prishtinë, Shkup a Tuz. Edhe në Nju Jork po të doni. Por të ndodhte në mes të Athinës, kjo ishte krejtësisht e pangjashme.

Asnjëherë sa sot, politika shqiptare nuk ka përmbushur asgjë në dobi të emigracionit nëpër botë. E megjithatë ai vazhdon të ndihmojë vendin e tij në të ardhura për frymë, në mundësi studimi të qindra e mijra të rinjve në Perëndim, në sjelljen e investitorëve të huaj, në ruajtjen e kulturës dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë, etj.

Sepse herët qëllimi i tyre pat qenë i qartë, fillimisht kryerja e detyrimeve kombëtare e më pas integrimi në kulturën e shteteve ku kishin gjetur veten. Por a ka pasur ndonjë moment historik të ndërveprimit të saj në jetën e shqiptarëve vec aktivitetit të tyre me karakter kombëtar?

Ka ndodhur disa herë në histori. Kur u shpall pavarësia e Shqipërisë në fillim të shekullit të kaluar dhe në vitin 1999, pragun e mijëvjecarit të ri ku diaspora tregoi se ishte një krah i fortë dhe gur themeli në betejën e Kosovës për liri.

Sot në Athinë, ne pamë se kjo diasporë nuk ka më nevojë të shtohet por të kthehet në atdhe. Dhe të kontribuojë në vendin e vet për ta cuar atë drejt prosperitetit dhe zhvillimit ekonomik.

David Ben- Gurion u zgjodh kryemnistri i parë i Izraelit në vitin 1948. Ai kryesoi shumë projekte kombëtare që synonin zhvillimin e shpejtë të vendit dhe popullit të tij. Përballë një vendi të rënduar financiarisht, Ben- Gurion ju lëshua diasporës për ndihmë. Dhe ata erdhën. Izraeli njohu zhvillimin dhe prosperitetin për të cilin ne kemi dëgjuar shumë. Në ekonomi, bujqësi, kulturë, arsim dhe teknologji.

Cfarë ne presim në këtë rrugëtim prosperimi të shtetit shqiptar nuk do të jenë asesi cështjet e vjetra që kanë të bëjnë me kombëtarinë dhe proceset e ekzistencës së tij. Tashmë kjo epokë ka mbaruar.

Itaka i pret të rinjtë e saj për të lundruar në oqeane të largëta dhe të trazuara drejt një bote krejt të re.

Ndaj një thirrje prej zemre ajo e Ben Gurion na vjen së brendshmi të gjithëve; duke punuar për integrime ndërshqiptare, rruga për integrime rajonale dhe evropiane bëhet më e lehtë, më e natyrshme dhe me jetëgjatë.

Është koha që kjo diasporë të vijë këtu. Është koha që ajo ta drejtojë thellësisht mendjen këtu. Ne duhet të luftojmë t’i ndryshojmë drejtimin duke ushtruar të gjitha forcat të investohemi në të vetmin burim të madh që mund të kemi ende; burimet njerëzore.

Njeriu, talenti dhe vullneti i tij.

Advertisement