Kosova
Anashkaloi Kosovën dhe kënaqi orekset e Vuçiç, ky personalitet ndaloi lojërat e Ramës
“Marrëdhëniet midis dy shteteve të të njëjtit komb (Kosovë dhe Shqipëri), janë larg marrëdhënieve që priten dhe duhet të jenë”. Kështu ka vlerësuar ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Agim Nesho dhe fajin për këtë këto marrëdhënie, ia ka lënë kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.
“Mendoj që përgjegjësinë kryesore për këtë situatë e kanë marrëdhëniet që ka krijuar Rama me Vuçicin si dhe përfshirja e regjimit të Tiranës me projekte të rrezikshme për Ballkanin, që janë inicuar nga nacionalistët serbë, si ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur”- ka thënë ish diplomati.
Sipas tij, Rama ka anashkaluar Kosovën për orekse të Serbisë, por projektet e tij i ka ndalur kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Politikat anti-kombëtare të Ramës, që stabiliteti ballkanik mund të vendoset duke anashkaluar Kosovën dhe duke kënaqur oreksin nacionalist të Serbisë, kanë sjellë në këtë situatë. Për të qenë i dobishëm për skenarët e mësipërm, Rama e projekton veten sikur përfaqëson gjithë hapësirat shqiptare dhe si njeriu që influencon midis shqiptarëve, gjë që është ndaluar nga personaliteti i fortë i Albin Kurtit, i cili duke qenë sovranist nuk lejon lojëra politike në kurriz të çështjes shqiptare”, është shprehur më tej Nesho.
Ai gjithashtu parashikoi se “rotacioni politik në Shqipëri mund të sjellë menjëherë përmirësim dhe zhvillim të këtyre marrëdhënieve”.
Lidhur me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka komentuar së fundmi edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës dhe njëherazi nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj. Sipas tij, marrëdhëniet mes dy shteteve aktualisht janë zero. Ai ka akuzuar kryeministrin Kurti, se e ka kthyer qeverinë e tij në një platformë që i përçan shqiptarët, duke përmendur zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut.
Përsa i përket OpenBalkan, Hoxhaj ka thënë se ai e ka parë atë si një mundësi që shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut të krijonin një kohezion ekonomik dhe shoqëror.