Politike
Andi Bushati: Në dosjen voluminoze të SPAK për Veliajn, s’gjen asnjë provë për ndonjë tender korruptiv

Andi Bushati shkruan se në dosjen voluminoze të SPAK për Erion Veliajn, nuk ka asnjë provë për ndonjë tende korruptiv.
“Në dosjen voluminoze zor se gjen prova për ndonjë tender të dhënë në mënyrë të jashtëligjshme, zor se gjen ndonjë leje ndërtimi të firmosur në tejkalim të normave.
Po, ka shumë dyshime, për lidhje me biznesmenë, që me siguri kanë qenë klientë dhe pagatorë të Erionit, por jo fakte.
Po të bësh krahasime me dosje të ngjashme, ajo e Veliajt duket edhe më e dobët se ato të Berishës apo Metës.
Tek ajo e ish- kryeministrit, për klubin Partizani, përpos akuzave për ndryshim të ligjeve, flitet dhe për akte konkrete, se si Berisha është përpjekur për të liruar sa më shpejt pronën që do të merrte dhëndri i tij.
Tek ajo për Metën aludohet për tratativat që ka bërë ish- bashkëshortja, për të kaluar një ligji, për suksesin e të cilit mendohej se do të përfitonte një vilë.
Në këto dy dosje, ku prokurorët që nuk i kanë argumentuar dot në mënyrë bindëse masat e marra ndaj ‘të paprekshmëve”, ka pasur së paku tentativa të SPAK-ut për të ndërlidhur përfitimin e nxjerrë me veprimet konkrete që ka bërë politikani i lartë.
Tek Veliaj qoftë edhe kjo mungon. Kryebashkiaku i portretizuar nga prokurorët ngjan si një ëngjëll, në raport me grabitësin frenetik që ekziston në mendjet e kritikëve dhe kundërshtarëve të tij”, shkruan Bushati.
Sipas tij, Veliaj është goditur për t’u shkatërruar politikisht.
“Prokuroria e Posaçme nuk heton deri në fund inceneratorët, prandaj ajo ka tabu të prekë tre shtyllat që mbajnë në këmbë regjimin e Edi Ramës: financimin okult të mediave; paratë e zeza të krimit, të shndërruara në rokaqiej që shërbejnë si serum për ekonominë dhe mbi të gjitha, vjedhjen e zgjedhjeve.
Me këtë objektiv është nisur edhe projekti i shkatërrimit politik të Erion Veliajt. SPAK ka zgjedhur ta trajtojë atë si xhepist ordiner, me mendësinë e atij që do ti’a hajë mishin, por ti’a ruajë kockën regjimit”, thotë Bushati.

