Connect with us

Aktualitet

Andi Bushati: SPAK është njësoj si prokuroria e Aranit Çelës, këtu ka marrë fund çdo gjë

Në emisionin “Të Paekspozuarit” ka patur një debat mes përfaqësuesit të Nisma Thurje, Pano Soko dhe analistit Andi Bushati në lidhje me veprimtarinë e SPAK.

Bushati e quan këtë institucion në shërbim të regjimit të Edi Ramës, duke deklaruar se krijon edhe iluzionin e rremë se do të bëjë drejtësi, çka vë në gjumë edhe shoqërinë.

Ndërsa Pano Soko deklaron se drejtësia është më mirë sot se para reformës në drejtësi edhe pse ka rezerva për punën e SPAK.

Andi Bushati: Nuk e prisja, por më duken dëshpërimisht afër. Nga mënyra se si dëgjova tre artikulimet, të duket sikur ne kemi një qeverisje të korruptuar, që duhet ndërruar, institucione jo perfekte, që kanë nevojë për rrotacion. Po ta dëgjosh debatin dhe të dëgjosh opozitat në Francë dhe Gjermani, debati është njësoj.

Mendoj totalisht ndryshe, mendoj se debati kryesor i shoqërisë shqiptare, por edhe çdo force të re që mund të lindë, nuk janë diferencat në programe, problemi është që ne jemi përballë një realiteti ku demokracia është vrarë, ka marrë fund.

Nuk ka këtu alternativa, programe, ndeshje ideshë. Jemi si në një stadium, ku duket qesharake të diskutosh do e fus ekipin me 4-3-3 apo me 3-5-2, ndërkohë spektatorët gjuajnë me gurë dhe shalojnë kundërshtarin.

Ne duhet të heqim këto gurët dhe pastaj të flasim për taktika në zgjdhje. Këtë shqetësim që demokracia ka vdekur dhe po jetojmë në regjim autoritarist, në regjim të njëshit, nuk e pashë, pastaj nga kjo rrjedh dhe debati për SPAK-un. Edhe SPAK e shohim si institucion, që po vepron në një sistem difektoz demokratik.

Jo mor jo, është njësoj si prokuroria e Aranit Çelës në sistemin e kaluar, është një vegël e Ramës për të rritur pushtetin. Përveç patronazhitëve, njerëz me lidhje me të majtën e dikurshme, përveç atyre nuk besoj se ka njeri që mund të besojë te një parti opozitare që nuk i thotë këtë të vërtetë, që po ju gënjejnë me SPAK, që po jetoni në një sistem difektoz demokratik. Në fakt duhet thënë jetojmë në diktaturë.

Kur pranojmë këtë, sjellja politike është totalisht e ndryshme nga sjellja e një force në regjim edhe të shtrembëruar demokratik. Nga tre artikulimet që pashë, kemi një sjellje sikur jetojmë në një demokraci që me zgjedhje mund të përmirësohet.

Pano Soko: Ti thua duhet t’i thoni popullit këtë të vërtetë, por kjo është e vërteta jote. Është opinioni yt.

Andi Bushati: Padyshim.

Pano Soko: Ti mendon se këtu ka një diktaturë, biem dakord për shumë gjëra bashkë, ama për opinionin tënd në lidhje me punën e SPAK, a kemi qenë më mirë… Se ti më thua mua kemi qenë më mirë më parë. Nuk e ha njeri këtë.

Andi Bushati: Jemi më keq tani!

Pano Soko: Realiteti që kam perceptuar unë nuk është ky fare. Të shoh që ecën shumë në ekstrem. Nuk mund të jemi kaq ekstremistë.

Andi Bushati: Kur Berisha bëri drejtësinë e plepave, me këtë na gënjeu, po bëj një drejtësi më të mirë se ajo e komunizmit.

Pano Soko: Drejtësia e 2011… ajo pesë me zero…

Andi Bushati: Drejtësia e 2011, ishte totalisht e korruptuar, por e distancuar nga jeta politike. Tani kemi një drejtësi po aq të korruptuar por që bëhet palë vetëm me njërën palë.

Pano Soko: E vërteta ndoshta është diku në mes. Ka ndoshta prokurorë dhe gjykatës të varur totalisht nga Edi Rama. Ama ka ca prokurorë të ndershëm, që nuk varen nga Edi Rama.

Andi Bushati: Aq sa mund të ketë një drejtues emisioni të ndershëm që thotë të vërteta në Top Channel dhe TV Klan. Padyshim aty ka njerëz të ndershëm, por në një institucion të korruptuar nuk mund të kesh njerëz të ndershëm. Edhe i ndershmi, në një sistem të korruptuar, i ka duart në fyt. Mora zjarr prapë këtu te SPAK, sepse mendoj që nëse ka një instrument që shkatërron çdo forcë të re politike, është pikërisht SPAK, si një levë demagogjike.

Këta i thonë popullit, o popull rrini të qenë në shtëpitë tuaja, mbani aq pensione sa keni, merrni aq bonus bebesh sa ju caktojnë, merrni rrogat që ju caktojnë, se këta hajdutët, ka një SPAK që do hakmerret. SPAK është bërë vegël për të platitur shoqërinë, për ta lënë në gjumë, mos reago ti… Armiku juaj është SPAK.

Advertisement