Connect with us

Kosova

Angazhimi i Bislimit në Bruksel ngjall kundërshtime në Kosovë

Angazhimi i zëvendëskryeministrit në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi, në raundin e ri të dialogut Prishtinë–Beograd në Bruksel ka ngjallur reagime nga politikanë e analistë, të cilët kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e tij për të përfaqësuar Kosovën në këtë fazë të procesit, përderisa ende nuk janë themeluar institucionet e reja në Kosovë.

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka vlerësuar se Bislimi “nuk ka as legjitimitet dhe as legalitet për ta përfaqësuar shtetin e Kosovës” në procesin e negociatave, duke shtuar se qeveria në detyrë, të cilën ai e quan “kujdestare” s’ka mandat të angazhohet në “procese vitale dhe të ndjeshme” si dialogu me Serbinë.

Në të njëjtën frymë ka reaguar edhe ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë, Burim Ramadani, i cili ka konsideruar gjithashtu se Bislimi nuk gëzon as legjitimitet qytetar, as legalitet institucional, për të përfaqësuar Kosovën në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian: “Thjesht, nuk mund të flasësh në emër të Kosovës!”.

Ndryshe, shefi i ekipit negociator ka qëndruar të hënën në Bruksel, ku ka takuar emisarin e BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, në kuadër të përpjekjeve për të rikthyer funksionalitetin e procesit, i cili ka ngecur për shkak të disa faktorëve, por kryesisht për shkak të mosgatishmërisë së palëve për të lëvizur.

Bislimi ka deklaruar pas takimit se pavarësisht ngërçit aktual politik në Kosovë, vendi nuk duhet t’i humbasë mundësitë që i ofron dialogu, veçanërisht në çështje si energjia, menaxhimi i kufirit dhe financimi për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

“Natyrisht se ka vështirësi për arsye se nuk mund të mbahen takime të nivelit të lartë, por megjithatë janë disa tema ku Kosova mund të përfitojë nëse ka konstruktivitet nga ana e Serbisë edhe mendoj që nuk do të ishte në rregull nëse ne i humbim këto shanse për shkak se në Prishtinë ka pengesa në konstituimin e kuvendit”, ka shtuar Bislimi.

Rinisja e dialogut në nivel teknik vjen pas vizitës së shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, e cila para dy javësh ka qëndruar në Prishtinë dhe Beograd. E në mungesë të institucioneve të reja, partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kanë theksuar se kanë nevojë partnerë “me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm” në dialogun me Serbinë

Advertisement