Kronike
Anketa e barometrit të sigurisë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar anketën e Barometrit të Sigurisë në Ballkanin Perëndimor për vitin 2022 lidhur me besimin e të anketuarve në institucionet publike, si dhe perceptimet për korrupsionin dhe integritetin e administratës publike në vend.
“Persa i përket raportit të parë, institucionet e sigurisë kanë rezultuar se gëzojnë besimin më të madh te qytetarëve në krahasim me institucionet tjera. Forca e Sigurisë së Kosovës është më e besueshmja me 83%. Nga ana tjetër, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të përballen me skepticizëm e mungesë besimi për shkak se besimi në Gjykata dhe Prokurori nuk ka shënuar rritje as këtë vit. Shkalla e besimit në këto dy institucionet është 30%”, thuhet në njoftim.
Përsa i përket institucioneve qendrore, Presidentja e Kosovës renditet me besim relativisht të lartë nga të anketuarit në krahasim me Qeverinë dhe Kuvendin. Rrjedhimisht, Presidentja gëzon besimin e 59% të të anketuarve, Kuvendi i Kosovës vetëm 25% dhe Qeveria e Kosovës 33%.
“Sipas të anketuarve, korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore të sigurisë kombëtare në Kosovë. 82% përmendën krimin e organizuar dhe 80% korrupsionin si dy fenomene që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe dëmtojnë sundimin e ligjit. Veç kësaj, të anketuarit nuk ishin të kënaqur as me performancën e Qeverisë së Kosovës në luftimin e korrupsionit apo krimit të organizuar, ndërsa vetëm 30 për qind e vlerësuan këtë të fundit si të mirë.
Shumica dërmuese e të anketuarve nuk janë aspak të kënaqur se si zhvillohet procesi i punësimit në administratën publike. Ka një shkallë të lartë skepticizmi marrë parasysh se 86 për qind e të anketuarve mendojnë se nëpunësit civilë në administratën publike janë të punësuar në bazë të nepotizmit (lidhjeve familjare), lidhjeve politike dhe ryshfetit ose korrupsionit

