Connect with us

Politike

Apeli i dha vulën Berishës, Kulluri: Duhet krijuar një parti e re, PD nuk vjen kurrë në pushtet

Vendimi i Gjykatës së Apelit për ti dhënë vulën dhe logon e Partisë Demokratike Sali Berishës, ka krijuar edhe krisjet e para në kampin e Lulzim Bashës.

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në grupin “Basha” ka deklaruar se në situatën aktuale ku ndodhet PD, nevojitet krijimi i një partie të re, me vulë dhe logo që të mund të krijonë besueshmëri tek elektorati dhe aleatët e djathtë.

Sipas tij, PD në asnjërin kamp nuk ka arritur dot të marrë 160 mijë votat e tyre që nga viti 2013, teksa shton se në këtë situatë, nuk do të vijë asnjë herë në pushtet.

Në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me Roland Zilin, Kulluri theksoi se deri më tani, PD është parë si një parti për një vend pune dhe jo për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Intervista e plotë:

Kalimi i vulës së PD tek Berisha duhte thënë se e ka lënë grupin Basha në një udhëkryq. Çfarë drejtimi duhet të marrë tashmë grupi sipas jush?

Nuk duhet të vazhdojmë më me ping pong Berisha-Basha. Çështja është e PD, jo e kryetarëve. Ka disa rrugë. Dy deputetë kanë pranuar që do jenë pjesë e PD dhe do e vazhdojnë karrierën e tyre në PD. Unë nuk prisja ndonjë gjë nga deputetët me lista të mbyllura. Ky është thelbi i krizës politike nga 2008 e këtej. Kur nuk e sheh politikën si mision por si vend pune është e lehtë të merresh me prencipe që nuk kanë vlera.

Rruga tjetër?

Rruga tjetër është të krijohet një parti tjetër politike dhe të përfaqësojë mijëra vota që nuk kanë shkuar në kutitë e votimit nga viti 2013 e këtej. Unë e kam thënë prej vitesh, PD e ka pasur të pamundur të vijë në pushtet për shkak se i mungon një numër votash që nuk beson më tek modeli i paraqitur deri më tani, kjo është konstante.

Ju mbështesni rrugën e dytë, krijimin e një force të re politike me emër të ri, logo të re…

Unë jam njeri që më pëlqejnë sfidat, jo rehatia. Të ishte për rehati do isha ulur në prehrin e Rithemelimit, por nuk e kam bërë asnjë herë. Nuk mendoj që njerëzit duhet të shkojnë aty ku është fprca, por ku është e drejta dhe ku ka një mision politik për ti shërbyer vendit. Unë nuk besoj që ti shërbesh një njeriu është shërbim ndaj vendit. Presioni ka qenë shumë i lartë nga strukturat. Unë kam dy ditë që më është bllokuar telefoni nga mesazhet dhe telefonatat, sepse çështja e frymës dhe e misionit politik nuk është çështje vule. Çështja qëndron tek principet për të përfaqësuar interesin publik sipas një modeli ku njerëzit bien dakord. Ne sot nuk kemi një PD, në Kryesi dhe një Këshill Kombëtar, por ka një grupim të madh njerëzish që besojnë tek disa gjëra.

Ju thatë që duhet një parti e re, një logo e re për një shërbim më të madh sesa drejt një njeriu të vetëm. A duhet ti nënshtrohet këtij gjykimi edhe Lulzim Basha , i cili tregoi e humbi edhe këtë betejë…

Për mendimin tim, ata që duhet të drejtojnë PD duhet të jenë persona që duhet të krijojnë besim edhe tek partitë e tjera aleate, edhe në elektorat. 14 maji tregoi që as kjo strukturë nuk i mori ato 160 mijë vota që i mungojnë PD.

Berisha ju ka ftuar publikisht të riktheheni në PD. Nëse do të kishte një ose disa kuste për tu rikthyer tek PD me vulë, cilat do të ishin?

Kushti që i kam çuar në shtator 2021 kur më dërgoi emisar për t’iu bashkuar Foltores; mos kandido për kryetar partie, hap garën dhe një grup punë dhe krijo një model të ri për të reformuar PD me themel. Nuk ramë dakord. Kolegët e mi firuan një nga një për një karrige dhe sot nuk dinë ku janë. Rrinë në rrugicë, e kur të dalë Berisha nesër do bëjnë ecje jake nëpër Tiranë me një parti politike që ka zero shanse të fitojë zgjedhje. Nuk fiton individi, por individi që përkrah modelin e duhur. Nëse ekipi që nesër mund të zgjidhet nuk jep garanci tek elektorati dhe partitë aleate, duhet riparë për një projekt serioz. Unë kam bërë luftë i vetëm për 6 vite dhe kam ndenjur dhe do rri në pozicionin tim.

Advertisement