Politike
Apeli i GJKKO lë në burg Çyrbjan, rrëzon kërkesën e ish-deputetit për heqjen e masës së sigurisë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbjas dhe shtetasit Ahmet Masha për heqjen e masës së sigurisë. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për zgjatjen e afateve hetimore me 3 muaj, që ishin kundërshtuar nga personat nën hetim.
SPAK ka afat deri më 20 korrik për të përfunduar hetimet për këtë dosje. Organi hetues pret përgjigje për letërporosinë e nisur partnerëve jashtë Shqipërisë, ku janë kërkuar informacione lidhur me disa episode të çështjes dhe subjekteve që po hetohen.
Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar. Ish-deputeti akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë.

