Connect with us

Kosova

Ardhja e pesëshes së madhe, tregues se dialogu ka hyrë në rrugë pa krye

Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm në Novi Sad, Aleksandër Popov, ka vlerësuar se ardhja e “pesëshes së madhe” në Kosovë dhe Serbi të shtunën, është tregues i qartë se dialogu i deritanishëm ka hyrë në një “rrugë pa krye”. Këto komente Popov i bëri në një intervistë për “Al Jazeera”, pas përfundimit të takimeve të diplomatëve evropiano-amerikan me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të cilëve iu prezantua një plan i ri për dialogun, detajet e të cilit – zyrtarisht – nuk janë bërë publike. Pas kësaj vizite, sipas tij, në fillim do të ketë bashkëpunim mes Kurtit dhe Vuçiç-it, “por me kalimin e kohës ata do të hasin sërish në pozita të vështira”, duke paralajmëruar se palët do të barrikadohen në disa çështje. Popov beson se kryeministri Kurti s’do të heqë dorë nga qëndrimet e tij për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa, sipas tij, presidenti Vuçiç, s’do ta ekstradojë në Kosovë kryekriminelin Milan Radojiçiç, i cili mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit. I Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media në Beograd, ka njoftuar se dialogu Kosovë-Serbi do të jetë “temë e diskutimit në takimin e krerëve të diplomacisë së BE-së të hënën”, dhe se më vonë do të diskutohet edhe në Këshillin e BE-së. Diplomati sllovak, që shoqërohej nga amerikani Gabriel Escobar dhe këshilltarët, ai francez Emmanuel Bonne, gjermani Jens Plotner dhe italiani Alessandro Cattaneo, ka thënë se “nuk ka të ardhme evropiane” për Kosovën dhe Serbinë pa zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit (Brukselit\Ohrit) dhe të gjitha marrëveshjeve të mëparshme. Ai ka theksuar edhe se ka pasur takime të gjata si me Vuçiç-in, ashtu dhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe se të dyja takimet kanë qenë shumë të rëndësishme. “Ne shprehëm shqetësimin për zhvillimet negative në procesin e normalizimit, që lidhet drejtpërdrejt me rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së”, tha Lajçak, duke shtuar se qëllimi i vizitës së “pesëshes së madhe” ishte të shihet se si të bëjë përparim konkret në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe de-eskalimit të situatës në Kosovë. Top-diplomati sllovak, e dënoi serish sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku. Ai po ashtu ka kujtuar se Serbia dhe Kosova kanë hyrë në një fazë të re të dialogut në shkurt dhe mars, duke iu referuar marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, dhe se të dyja palët pritet të fillojnë t’i përmbushin obligimet e tyre nga marrëveshjet e reja dhe të arritura më parë.

Advertisement