Aktualitet
Ardian Nikulaj ndiqej prej ditësh nga autorët, si u ekzekutua biznesmeni

Personat që ekzekutuan Ardian Nikulajn, e kishin ndjekur biznesmenin prej kohësh dhe prisnin momentin e duhur për ta vrarë. Siç raportohet, në momentin që kanë parë që është futur vetëm në lokalin e tij, autorët janë afruar nga dera e pasme e biznesit me motor. Më pas, njëri prej tyre, veshur me një jelek fosforeshent, me maskë farmaceutike dhe skafandrën e motorit në kokë, u fut brenda dhe qëlloi në drejtim të biznesmenit.
Sipas të dhënave të deritanishme, ai ka qëlluar të paktën shtatë herë me silenciator. Më pas u largua pasi jashtë e priste bashkëpunëtori me motor. Të dy janë zhdukur pa gjurmë dhe nga çfarë raportohet deri më tani, pasi kanë braktisur motorin, kanë hipur në një mjet tip ‘Range Rover’ me ngjyrë të zezë e targa angleze.
51-vjeçari Ardian Nikulaj rezulton se ka disa biznese në zonën e Lezhës dhe ka qenë gjithashtu pjesë e politikës. Aktualisht ai garonte në listën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe më parë ka kandiduar për deputet në Lezhë në listën e PSD-së.

