Connect with us

Politike

Arlind Qori tregon çfarë i pret oligarkët nëse ai vjen në pushtet

Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për programin e partisë dhe për një nga çështjet që ai dhe partia kanë ngritur fuqishëm, kapja e ekonomisë nga oligarkia.

I pyetur nga gazetari Ylli Rakipi, se si çmontohet oligarkia nëse vijnë në pushtet një ditë, Qori tha se oligarkët nuk i fut në burg qeveria, por drejtësia dhe deklaroi se Parlamenti do të bëjë ligje për çlirimin e ekonomisë dhe forcimin e drejtësisë.

Ylli Rakipi: Ju flisni shpesh për oligarkët, keni patur guximin ti denonconi me emra. Nëse Arlind Qori do të ishte një ditë në pushtet, si i vjen fundi oligarkisë? Ma shpjegon dot me hapa konkretë? Se këta oligarkë i krijoi doktori, i hodhi themelet, i mori të gatshëm ky tjetri, i shëndoshi… Pra, si i çmonton këta Qori?

Arlind Qori: Po e nis me një batutë për origjinën e oligarkisë. Kam parë filmin për doktor Frankenshtajnin, që krijoi një monstër dhe vrau krijuesin. Oligarkia ka ardhur si rezultat i një pushteti të korruptuar. Tashmë janë bërë aq të fuqishëm sa kanë kapur shtetin, ndikojnë ligjet dhe vendimet. Lëvizja Bashkë, kur vjen puna te oligarkia ka këtë qëndrim. Ne, nëse na votëbesojnë qytetarët do të kemi shumicën dhe pushtet ekzekutiv. Nuk do të jemi prokurorë dhe gjykatës.

Mos prisni të them se do ti fusim oligarkët në burg. Besojmë te rendi Kushtetues. Por nëpërmjet ligjeve dhe kontrolleve, do të bëjmë ligje që të hetojnë për dënim deri sot. E dyta të shkatërrojë pozitat e privilegjuara. Përshembull ligji i investitorëve strategjikë, vidhen pasuritë publike.

Jemi kundër metodës së dhënies me koncesion, krijon hapësirë më të madhe për korrupsion dhe rëndon buxhetin e shtetit. Sigurisht i takon edhe pushtetit të drejtësisë. Nuk të fut në burg Parlamenti dhe qeveria, por mbështesin institucone të pavarura që të bëjnë punën e tyre. Dhe nëse e bëjnë, dora në zemër, shumë nga këta, do ta kenë punën pisk me ligjin, jo me mua. Ne do të mundësojmë që drejtësia të jetë e pavarur dhe e fuqishme.

Ylli Rakipi: Mediat janë të kapur nga interesat e pronarëve, disa prej tyre mund të quhen edhe oligarkë?

Arlind Qori: Nëse e çliron ekonominë nga oligarkia, nuk do të jetë ky hiper ndërtuesi, që pasi ka qindra milionë euro, mban media për të pastruar imazhin.

Advertisement