Connect with us

Kronike

“Armën e futën punonjës të burgut”, Mjacaj nxjerr emrat e bashkëpunëtorëve?

Sokol Mjacaj u deklaroi hetuesve se pistoletën me mulli e ka futur me ndihmën e një punonjësi të burgut të Peqinit, rreth 20 ditë më parë, dhe e ka mbajtur të fshehur në qelinë e burgut. Mjacaj dyshohet ta ketë mbajtur armën gjate gjithë kohës ne burg, edhe në lëvizjet që kryente brenda tij, por kjo nuk është vërejtur dhe nuk është konstatuar në kontrolle nga punonjësit e burgut.

Sipas hetimeve te deritanishme nga Prokuroria e Elbasanit, një pjesë e kamerave të sigurisë dhe skaneri në burgun e Peqinit nuk kane punuar për gjashtë ditë dhe janë rregulluar disa ditë më parë.

Pak orë pas vrasjes se të dënuarit nga Mjacaj, me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit janë ndaluar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha si dhe 11 zyrtare të tjerë te burgut të Peqinit. Sipas Prokurorisë së Elbasanit, ka dyshime se punonjësit e shërbimit nuk kanë përmbushur detyrat, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, gjate daljes se të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë, në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme.

Prokuroria e Elbasanit njofton, se Sokol Mjacaj, ka qenë i transferuar në ambientet e regjimit 41Biz, ndërsa më pas është transferuar në godinën “B” në burgun e Peqinit, ku rezulton se nuk është kryer procedura standarte e kontrrollit fizik. Ndërsa përgjegjësit e informacionit të burgut dyshohet se nuk kanë njoftuar ngjarjen e ndodhur në policinë e Elbasanit apo Komisariatin e Policisë Peqin.

Sokol Mjacaj, gjatë marrjes në pyetje për krimin, ka thënë se e qëlloi Arben Lleshin për shkak të një konflikti që kishte me të brenda burgut, pasi pretendonte se Lleshi nuk e ka lejuar të transferohet në sektorin ku vuante dënimin. Megjithatë këto deklarata nuk kane bindur grupin hetimor, të cilët si pistë kryesore kanë atë të një vrasje me porosi nga jashtë burgut, për hakmarrje.

Në prill të viti 2012, Arben Lleshi vrau në Britaninë e Madhe mikun e tij, Agim Hoxha dhe më pas dogji trupin e tij në një makinë. Familja Hoxha ishte betuar për hakmarrje, ndërsa në fisin Lleshi, prej asaj kohe ka disa të vrarë.

Për llogari të hetimeve per vrasjen e Arben Lleshit në burgun e Peqinit u shoqëruan edhe 4 pjesëtarë të familjes Hoxha nga Mati, që dyshohen se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Zyrtarisht policia njoftoi se vrasjen në burgun e Peqinit ndodhi rreth orës 13:52 të së premtes. Sokol Mjacaj ka qëlluar në drejtim të dy të dënuarve për jetë, nga dritarja e qelisë, duke lënë të vdekur në vend viktimën Arben Lleshi dhe te plagosur Indrit Shaqjen.

Advertisement