Bota
“Armiku i armikut tim”/ Kina hakmerret ndaj Trump, heq sanksionet ndaj Bashkimit Europian

Mes pakënaqësisë së përbashkët që kanë ngjallur tarifat e ashpra të Donald Trumpit, Kina po tenton përmirësimin e raporteve me BE-në.
Pekini dhe Parlamenti Europian janë në “fazën finale” të diskutimeve lidhur me heqjen e sanksioneve ndaj ligjvënësve të tij, si pjesë e një lëvizjeje për t’i hapur derën zbutjes së raporteve mes Kinës dhe bllokut.
Një zëdhënës i PE-së pohoi se “diskutimet me autoritetet kineze po vazhdojnë dhe janë drejt fundit”.
Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, sipas zëdhënësit, do të “informojë fillimisht krerët e grupeve kur autoritetet kineze të konfirmojnë zuryarisht heqjen e sanksioneve”.
“Qëllimi ynë ka qenë gjithmonë rinisja e raporteve me Kinën”, nënvizoi ai.
Diskutimet për heqjen e sanksioneve vijnë në kohën kur Pekini po tenton të bëjë përparim në mesin e luftës tregtare me administratën Trump.
Përballë tarifës 145 për qind të vendosur nga SHBA-ja, që është dhe tregu më i madh për eksportet e Kinës, Pekini tani po kërkon të përmirësojë raportet me Bashkimin Evropian pasi për vite të tëra kishte raporte të tensionuara me unionin 27 anëtarësh.
Kina i vendosi në vitin 2021 sanksionet kundër disa anëtarëve të Parlamentit Europian, pasi Brukseli kishte përdorur masat të ngjashme kundër zyrtarëve kinezë dhe entiteteve për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve të tjera myslimane, si kazakët etnikë dhe kirgizët, në provincën kineze Shinxhang.
PE-ja iu përgjigj asokohe masave të Kinës me ngrirjen e ratifikimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse të Investimeve BE-Kinë, e cila synonte thellimin e raporteve mes këtyre dy tregjeve masive.

