Connect with us

Bota

Arratisje spektakolare në Beograd, dy të dyshuar për spiunazh zhduken pa gjurmë

Ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore që kishin për shënjestër udhëheqës të lartë të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Doha të Katarit më 9 shtator.

Shtetasi kinez Cuj Guanghaj, dhe ai britanik John Miller, ekstradimin e të cilëve e kërkojnë Shtetet e Bashkuara nën akuzat për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake, janë arratisur nga arresti shtëpiak në Beograd dhe kanë hequr byzylykët elektronikë, ka konfirmuar të martën Gjykata e Lartë e Beogradit për Radion Evropa e Lirë.

Gjykata e Lartë ka urdhëruar shpalljen e fletarrestimit për këta dy persona.

Ata u arrestuan në prill në Beograd me fletarrestim ndërkombëtar, me kërkesë të SHBA-së.

Atëbotë, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi se shtetasi kinez dhe ai britanik dyshohen se kanë “koordinuar dhe drejtuar një komplot për të frikësuar dhe kërcënuar një qytetar të Los Anxhelosit, i cili publikisht kishte kritikuar presidentin kinez Xi Jinping”.

“Cui dhe Miller kanë angazhuar dy persona në Shtetet e Bashkuara për të zbatuar komplotin, me qëllim që të pengonin viktimën të protestonte kundër paraqitjes së presidentit Xi në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Aziatiko-Paqësor [APEC] në nëntor 2023”, tha Departamenti i Drejtësisë përmes një njoftimi.

Aty po ashtu u tha se dyshohet që Cui dhe Miller kanë zbatuar një plan të ngjashëm edhe në pranverën e vitit 2025, “pasi viktima kishte thënë se planifikonte të publikonte një video online, e cila shfaqte dy statuja të reja artistike të presidentit Xi dhe bashkëshortes së tij”.

Në njoftim u thase Cui dhe Miller i kanë paguar “dy persona të tjerë rreth 36.500 dollarë që ta bindnin viktimën të hiqte dorë nga publikimi online i statujave. Pa dijeninë e Cuit dhe Millerit, ata dy persona kishin gjithashtu lidhje me FBI-në dhe vepronin sipas urdhrit të agjencisë”.

Siç u theksua, Byroja Federale amerikane e Hetimit (FBI) është duke e hetuar këtë rast.

Rrjeti hulumtues BIRN më herët kishte raportuar se ndaj këtyre dy personave në SHBA janë ngritur dy aktakuza të ndara, njëra për “organizimin e përndjekjes dhe frikësimit”, dhe tjetra për tentim të tregtisë ilegale me pajisje ushtarake amerikane dhe kontrabandimin e tyre në Kinë.

Marrëveshjen për ekstradim mes Serbisë dhe SHBA-së është ratifikuar në Parlamentin serb në shkurt të vitit 2019. Kjo marrëveshje mundëson shkëmbimin e të arratisurve nga drejtësia, pa marrë parasysh shtetësinë. /rel

Advertisement