Aktualitet
Arrestime dhe ekstradime për emrat kryesorë të krimit / Dubai, jo më oaz i krimit shqiptar

Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën e 11 qershorit se pritet të ekstradojë dy të shumëkërkuar nga Dubai, si “rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Bëhej fjalë për shtetasit: Dashnor Dumani, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GJKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë; Armis Stafa, i akuzuar nga GjKKO-ja, se ka pastruar paratë e një grupi kriminal në Elbasan.
Ky i fundit, akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Çopja, të përfituara nga veprimtari kriminale, përmes tregtisë së makinave.
Në fillim të muajit maj, autoritetet ligjzbatuese do të finalizonin ekstradimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe të Florenc Çapjas, një nga personat më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.
Florenc Çapja, i cili njihet si kundërshtar i Suel Çelës, është dënuar me vendim të Apelit të Posaçëm, me burgim të përjetshëm për veprat penale si “vrasje në rrethana të tjera cilësues”, “grup të strukturuar kriminal”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”, si “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.

Dhe jo vetëm…
Në të njëjtën kohë, Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, tre personazhe të njohur të botës së krimit u arrestuan në Dubai dhe priten të ekstradohen në Tiranë.
Të lidhur në grup kriminal të drejtuar nga i shumëkërkuari Talo Çela, ata akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale, që nga prodhimi i armëve e deri te vrasja me paramendim.
Interpol Abu Dhabi konfirmoi zyrtarisht gjithashtu në tetor të vitit 2024 arrestimin e Durim Bamit, i cili akuzohet për krijim kushtesh për atentatin ndaj Marklen Hakës ku mbeti e vrarë halla e tij.
Për Durim Bamin pritet të ndiqet e njëjta procedurë si me Plaurent Dervishajn, për t’u ekstraduar drejt Shqipërisë.
Plaurent Dervishaj u ekstradua nga Dubai në gusht të vitit të kaluar së bashku me Julian Meçajn, pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kjo, pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Si nisi gjithçka?
Bruno Çobo, koka e një grupi kriminal i shpallur në kërkim nga SPAK për mashtrim në bashkëpunim me 16 persona të tjerë, u deportua më 13 mars 2024 nga Emiratat e Bashkuara, duke u bërë shqiptari i parë i ekstraduar nga Dubai në Tiranë.
Ai akuzohej për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla lajmëroi më pas se do të shkonte në Emiratet e Bashkuara, për të finalizuar marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve.
“Gjithë provat e paraqitura nga pala shqiptare, do të vlerësohen nga autoritetet gjyqësore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe unë jam i bindur se kjo qasje e krijuar se Emiratet apo Dubai është një oaz ku mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë, dhe autoritetet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë se raste si rastin që ju përmendët, i kemi të gjitha instrumentet për ta vendosur para drejtësisë shqiptare”, deklaroi Balla dy muaj më pas referuar rastit të Durim Bamit.
Gjithçka do të merrte shkas nga një deklaratë në Kuvendin e Shqipërisë, e kryeprokurorit special Altin Dumani në korrik të vitit 2023.
Kreu i SPAK-ut shprehu shqetësimin për dështimin asokohe të ekstradimeve të të kërkuarve nga drejtësia të cilët fshiheshin në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Problematikë është mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit të organizuar kryesisht nga Emiratet Arabe. Është një problematikë që ka vënë në vështirësi hetimet sa i takon përballjes së autorit të veprës penale në sallën e gjyqit. Deri tani nuk kemi marrë asnjë refuzim por nuk kemi asnjë të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, theksonte ai.
Refuzimin e parë, SPAK do e merrte për ekstradimin e Plaurent Dervishajt në vitin 2020, ndjekur një vit më vonë nga kërkesa për Florenc Çapjan.
Të dy, aktualisht në Tiranë, duke vuajtur dënimet e tyre nga drejtësia shqiptare.

