Kronike
Arrestimet në Ministrinë e Financave/ Zbardhet dosja
Detaje të reja janë zbardhur sot nga dosja hetimore pas arrestimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, përmbaruesit Alban Ruli dhe Drejtorit Juridik Fatmir Hoxhaj. Dosja ka mësuar se prokuroria ka grumbulluar prova nga transaksionet bankare ku ka rezultuar se Ilir Thana ka tërhequr nga llogaria e motrës së tij, Shpresa Prifti, përmes një prokure të posaçme, një sasi të konsiderueshme parash. Bëhet fjalë për një shumë prej 23 milionë lekë të reja, para që nuk i takonin. Më konkretisht, ai tërhiqte nga llogaria e saj, ccdo ditë një shumë prej 1 milionë lekë të vjetra, nga 11 tetori deri më 14 dhjetor 2022.
“Ilir Thana ka bërë tërheqje të shumta nga llogaria e motrës së tij, i pajisur me prokurë të posaçme duke bërë tërheqje thuajse çdo ditë të shumave që variojnë deri në 1 milion lekë të reja. Tërheqjet nga ky shtetas rezulton se janë kryer për periudhën 11.10.2022 deri në 14.12.2022. Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe personave të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga buxheti i shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.”, thuhet në dosje.
Më tej, në dosje thuhet se “më datën 16 shtator 2022 ka dalë sërish urdhër i brendshëm, konkretisht bllokim i fondeve buxhetore në shumën 145.583.781 lekë nënshtruar nga Elmira Feto, kryetare e Degës së Therasit Tiranë. Në datën 7 tetor 2022, kreditori Ilir Thana i kërkon përmbaruesit Alban Ruli që çdo shumë që do të kreditohet, t’i dhurohet motrës së tij Shpresa Prifti.”
Arrestimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj u bë dje nga Prokuroria e Tiranës që e akuzon zyrtarin për shpërdorim detyre. Në pranga janë edhe përmbaruesi Alban Ruli dhe drejtori Juridik i institucionit, Fatmir Hoxhaj. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë firmosur shkresa për ti kaluar 1.2 milionë euro shtetasit Ilir Thana, i cili u trajtua si ish-pronar, edhe pse nuk e gëzonte titullin. Ilir Thana mori vetëm 400 mijë euro deri në momentin e arrestimit, ndërsa ryshfeti për zyrtarët ishte 82 milionë lekë.
Si funksiononte skema? Mashtrimi lidhej me një kontratë të firmosur nga Ilir Thana për të blerë një objekt në pronësi të shtetit. Bëhet fjalë për një magazinë nr.2, në vitin 1992 në pronësi të Drejtorisë së Shërbimit qeveritar. Por me një vendim të gjykatës së Apelit, nuk u lejua privatizimi dhe Thanës iu kthyen lekët që kishte blerë objektin, ndërsa godina i ngeli shtetit. Pas disa tentativash, Thana iu drejtua përmbarimit që i dha statusin e pronarit në mënyrë të kundraligjshme, dhe kjo procedurë u kalua nga Ministria e Financave, që miratoi 1.2 milionë euro kompesim për Thanën. Paratë kaluan në llogarinë e motres së Thanës, ndërsa prokuroria ka mundur të sekuestrojë 220 milionë lekë.