Connect with us

Kosova

Arrestimi i 3 qytetarëve/ Familjari: Policia serbe më tha se u prangosen se janë shqiptarë

Tre qytetarë të Komunës së Podujevës janë arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Labinot Maliqi nga komuna e Podujevës ka denoncuar se dy familjarë të tij janë arrestuar më 13 qershor nga autoritetet serbe në Merdare – pika kufitare që lidh Kosovën me Serbinë.

Ministria e Jashtme e Kosovës konfirmoi, po ashtu, për Radion Evropa e Lirë se është njoftuar në lidhje me “arrestimet e reja” nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd.

Sipas Ministrisë, është njoftuar edhe Delegacioni i BE-së në Serbi, ashtu si edhe misionet tjera diplomatike në këtë vend.

“Po ashtu, është dërguar shkresë zyrtare te Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë”, thonë nga Ministria e Jashtme e Kosovës. Familjari i të arrestuarve, Labinoti, thotë se nuk ka informacione për ta që nga orët e mbrëmjes së 13 qershorit.

Më 13 qershor, rreth orës 16:30, së bashku me vëllain dhe dhëndrin kemi qenë duke kaluar nga Serbia për në shtetin e Gjermanisë. Në kufi, ata i ndaluan. I pyeta se cila është arsyeja? Policia serbe më tha: Vetëm se jeni shqiptarë. Ata janë rrëmbyer sepse nuk ka ndonjë arsye apo vepër penale për ndalim apo arrestim”, thotë Labinoti citon REL.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, njoftoi të mërkurën, përmes një shkrimi në Facebook, për arrestimin e tre personave nga kjo komunë në shtetin e Serbisë.

“Sipas informatave që kemi pranuar, atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë nga autoritetet serbe, kurse për motivet e arrestimit të tyre nuk dihet, përveçse po dyshojmë se janë hakmarrëse dhe po ndërlidhen me situatën në veri të vendit”, shkroi Bulliqi në Facebook.

Pas këtij njoftimi reagoi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë (KMDLNJ), duke u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos udhëtojnë përmes Serbisë, por të shfrytëzojnë rrugë të tjera alternative deri në, siç tha, qetësim të situatës, që do të garantonte liri të lëvizjes.

“Pas përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës është vështirësuar edhe lëvizja e qytetarëve të Kosovës në dhe nëpër Serbi. Situata do të bëhet edhe më e rëndë për bashkatdhetarët, pasi jemi në prag të fillimit të pushimeve verore dhe shumica e tyre e zgjedhin Serbinë si rrugë më e shkurtër për në Kosovë”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
Situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është tensionuar qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje kanë hyrë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. / REL

Advertisement