Politike
Arrestimi i Metës dhe Berishës nga SPAK, Rama: S’kanë faj
Kryeministri Edi Rama ka zbutur tonet ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Duke i kthyer përgjigje një pyetjeje nga Facebook, Rama tha se nuk e kanë fajin hetuesit e SPAK se nuk po marrin të pandehur Sali Berishën dhe Ilir Metën, pasi procese të tilla duan kohë.
A do gjykohet kreu i SPAK për shpërdorim detyre që nuk merr të pandehur Berishën dhe Ilir Metën?
Rama: Jam si ju i frustruar por nuk shkohet tek mohimi i punës së SPAK dhe as tek hedhja e baltës apo insinuatave të kësaj natyre se nuk janë gjëra që bëhen me sustë. Do isha shumë mirënjohës nëse çështje e lidhura me këto 2 personazhe të mos më vihen mua përpara si çështje që kanë të bëjnë më mua. E keni bërë këtë zgjedhje në 1990. Nuk dënon, arreston, gjykon më kryeministri, qeveria dhe shumica. Nuk e bën. Dhe fatmirësisht që nuk e bën. Nëse do ndodhtë kështu, unë do isha i pushkatuar me kohë dhe nuk do të kisha mundësi të pushkatoja. Njerëzit i kuptoj shumë mirë që nuk ka avancim për t’i dhënë formë dhe përmbajtje, por kjo nuk do të thotë që t’i hidhemi në fyt SPAK.
Ndërkohë që shpeshherë në të shkuarën numri një i qeverisë, Edi Rama nuk e ka kursyer gjuhën e ashpër ndaj SPAK duke e akuzuar se në fakt po godiste vetëm qeverinë dhe se deri më tani nuk kishte marrë asnjë masë ndaj opozitës. Por duket se qëndrimi i tij ka ndryshuar, për arsye që ende nuk dihen.