Politike
Arrestimi i Metës i habiti eurodeputetët/ Gjekmarkaj: Lajmi kishte mbërritur atje para nesh
Partia Demokratike ka zhvendosur ditën e sotme protestën kundër qeverisë në Strasburg para Parlamentit Europian. Për të na dhënë më shumë detaje lidhur me këtë ngjarje në një lidhje direkte në emisionin “Opinion” në Tv Klan ishte deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj i cili e quajti këtë organizim një fushatë sensibilizimi.
Gjekmarkaj theksoi se kanë zhvilluar takime me shumë eurodeputetë ku tha se janë mirëpritur dhe dëgjuar për ato çfarë kishin lidhur me gjendjen e opozitës në Shqipëri.
Blendi Fevziu: Çfarë ka ndodhur sot ekzaktësisht në Parlamentin Europian?
Agron Gjekmarkaj: Ne kemi qenë në një fushatë sensibilizimi. Kemi ardhur për të biseduar për çështje madhore të demokracisë në Shqipëri, për probleme që kanë të bëjnë me opozitë, Kushtetutën, krimin zgjedhor….
Blendi Fevziu: Kë keni takuar Gjekmarkaj?
Agron Gjekmarkaj: Kemi takuar shumë personalitete një numër të madh Eurodeputetësh. Kemi pasur gjithë ditën takime intensive. Ju e dini më mirë se unë se fati i Shqipërisë ka qenë gjithmonë i lidhur me Europën për çëshjte madhore, por edhe sot për çështje ekzistenciale demokratike.
Blendi Fevziu: Por edhe sot Presidentja e Komisionit Europian ishte për një vizitë në Tiranë.
Agron Gjekmarkaj: Po nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe, përkundrazi. Nuk kemi qenë në protestë, por kemi qenë në momente sqaruese sepse nuk ka arsye që ne të protestojmë tek institucionet evropiane sepse nuk na kanë borxh ata. Ne kemi qenë në tempullin e demokracisë që është PE dhe jemi mirëpritur me respekt.
Blendi Fevziu: Si ka funksionuar Gjekmarkaj? Një pjesë ka bërë takime dhe një pjesë kanë qenë vetëm për sensibilizim jashtë…
Agron Gjekmarkaj: Kemi qenë një pjesë që kemi pasur bisedime nga mëngjesi. Unë zoti Bardhi, zoti Noka, zonja Tabaku, zonja Vokshi dhe pjesa tjetër ka qëndruar tek pjesa hyrëse e Parlamentit Europian ku ka zgjuar interes të madh të mediave vendase dhe ndërkombëtare dhe kanë pasur gjithashtu takime me shumë eurodeputet që janë bërë kureshtarë që pse opozita e Shqipërisë në mënyrë unike…
Blendi Fevziu: Cila ka qenë çështja kryesore që ju keni ngritur?
Agron Gjekmarkaj: Çështja që na shqetëson më së shumti është fakti që duke e theksuar që askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të jetë nën ligjin dhe fakti që e gjithë komanda e opozitës është ose në arrest shtëpie, ose në arrest në burg ose kandidat për të hyrë në burg.
Ndër të tjera Gjekmarkaj ka përmendur edhe faktin që eurodeputetët me të cilët kanë pasur takim ishin të informuar për arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta, ku theksoi se kjo ngjarje kishte shkaktuar habi tek ata për mënyrën e ekzekutimit të vendimit.
Agron Gjekmarkaj: Rasti i fundit që kishte mbërritur para nesh është mënyra e arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta. I kishte habitur fakti që një ish-President arrestohet në mënyrë aq të dhunshme kur mund të arrestohej…
Blendi Fevziu: Kishin dijeni për këtë Gjekmarkaj?
Agron Gjekmarkaj: Padyshim! Lajmi kishte mbërritur atje para nesh dhe sigurisht kishte shkaktuar habi për tonin e fortë të ngjarjes dhe mënyra se si ishte ekzekutuar vendimi kur mund të ishte bërë në forma tjera. Fakti që nuk i është lexuar një akuzë dhe fakti që pretendohet se është ushtruar dhunë, mënyra se si është nxjerrë nga makina, shumë arsye të tjera kishin shkaktuar jo pak habi te parlamentarët evropian që ishin informuar në kohë reale për këtë ngjarje.