Politike
Arrestimi i Muçës/ Salianji: Truk për mos nxjerrje para përgjegjësisë të urdhëruesve
Kryetari i komisionit hetimor parlamentar për ndërhyrjen në sistemin TIMS, Ervin Salianji ka reaguar pasi Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-drejtorin e Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’, dhe ‘Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike’, pasi ka rezultuar si personi që ka hyrë në sistemin TIMS i paautorizuar dhe ka eksportuar të dhënat.
Në një postim në rrjetet sociale, Salianji e konsideron arrestimin e Muçës të vonuar, por si rezultatin e parë të punës së komisionit që ai drejton, si dhe konfirmim të denoncimeve të opozitës.
Deputeti i PD deklaron se mohimi i Edi Ramës për shqetësimin e ambasadës së ShBA për ndërhyrjen në sistemin TIMS, nxjerr zbuluar urdhëruesit e këtij akti, ku sipas tij, ndërhyrja ka qënë me urdhër dhe për qellime qartësisht kriminale.
Salianji shton më tej se uron që arrestimi i Ervin Muçës mos jetë truk për të penguar hetimin e plotë dhe nxjerrjen para përgjegjësisë së urdhëruesve, shkelësve të ligjit dhë krimineleve përfitues nga ky akt
Postimi i plotë i Ervin Salianjit:
Arrestimi i Drejtorit të IT në policinë e shtetit, dëshmitari i parë i listuar në planin paraprak të hetimeve të Komisionit Hetimor, Ervin Muça, është rezultat i parë i punës së Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS dhe konfirmim i denoncimeve të vazhdueshme të opozitës!
Mohimi i Edi Ramës për shqetësimin e ambasadës së ShBA për ndërhyrjen në sistemin TIMS, nxjerr zbuluar urdhëruesit e këtij akti!
Ndërhyrja ka qënë me urdhër dhe për qellime qartësisht kriminale!
Arrestimi i sotëm i vonuar nuk e shmang dot përballjen e Ervin Muçës dhe çdo shkelësi tjetër për tu përballur me drejtësinë por dhe me dëshminë në komision, për një akt që cënon në thelb sigurinë kombëtare! Ky është i pari, ne do ti shkojmë deri në fund hetimit parlamentar, për të hedhur dritë sidomos mbi urdheruesit e ketij krimi.
Uroj që arrestimi mos jetë truk për të penguar hetimin e plotë dhe nxjerrjen para përgjegjësisë së urdhëruesve, shkelësve të ligjit dhë krimineleve përfitues nga ky akt!