Connect with us

Politike

Arrestimi i nënës lehonë, reagon PD-ja: Të lirohet menjëherë

PD: Policia e Shkodrës ka thyer një rekord këto ditë. Uniformat blu kanë shkuar me furgon, armë dhe pranga në fshatin Drisht të Postribës dhe ka bërë një arrestim, si në kohërat më të egra të diktaturës. Ato shoqëruan në qelitë e burgut Diana Bahçen, një grua të re, vetëm 7 ditë pasi kishte sjellë në jetë një fëmijë.
Gruaja-lehonë është arrestuar dhe burgosur pas një vendimi të Gjykatës së Tiranës, që e dënonte me 250 mijë lekë, shumë të cilën ia ka konvertuar në heqje lirie prej 1 muaji e 20 ditësh.
Foshnjës 7 ditëshe i duhet të presë edhe rreth 2 muaj të tjerë që të ketë pranë nënën.
Nuk kërkohet logjikë dhe as njohuri në mjekësi për të kuptuar padrejtësinë e dyfishtë të gjykatës dhe policisë ndaj nënës dhe foshnjës.
Shkenca e mjekësisë na provon përhapjen e atyre që njihen si “trauma e passlindjes”, dhe rasti i nënës së re nga Drishti, klasifikohet si traumë e dyfishtë.
Përvec sjelljes barbare, pa marrë parasaysh ato që në jurisprudencë njihen si ‘rrethana lehtësuese’, në këtë rast shohim edhe njëherë dorën e verbër të një shteti që është i pamëshirshëm dhe katil me të dobëtit dhe lepur me të fortin.
Të mos harrojmë se në Shkodër janë më të fuqishëm kapot e bandave, se deputetët dhe ministrat. Janë këta të fundit që e monitorojnë policinë me kamera, në vend që të ndodhte e kundërta. Janë ata që lëvizin të lirë, vendosin taksat ndaj bizneseve, e me radhë. Policia dhe strukturat shtetërore të Edi Ramës rrinë e shohin, ose bëhen pjesë në ndarjen e plaçkës.
E kundërta ndodh kur nuhasin pafuqinë e të dobëtit. Policia dhe gjykata e narkoshtetit, papritur bëhen gardianë të rreptë të presjes dhjetore të ligjit dhe nuk të falin.
A është marrë parasysh rrethana lehtësuese e një lehone kur u arrestua Diana Bahçja?
A ka patur psikolog, si në shoqërimin në qeli, por edhe më pas për nënën-lehonë?
A kanë shkuar në familjen Bahçja, ku i shoqi Naimi po kujdeset për një foshnjë disa ditëshe, punonjësit socialë?
Këto janë pyetjet që administrata e një shteti serioz, që përkujdeset për qytetarët, dhe nuk i përndjek ata, duhet t’u japë përgjigje.
Partia Demokratike i bën thirrje gjykatës që të lirojë menjëherë nënën e re, në mënyrë që ajo të mund të ushqejë dhe të kujdeset për foshnjën e sapolindur.
Bërja e drejtësisë nëpërmjet një padrejtësie më të madhe është një krim i vërtetë.

Çfarë ka ndodhur? Diana Bahçja ishte dënuar nga gjykata me gjobë, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. Ky pretendim mohohet nga Diana që deklaron se ish-burri e dhunonte. Por çudia ka ndodhur me vendimin e gjykatës. 3 vite pasi Diana Bahçja mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur.

Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe ndodhet në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj. Diana Bahçja përfiton nga ligji dhe Kodi Penal, që parashikon shumë qartë se në rastin kur nëna është shtatzënë ose ka fëmijën nën 1 vjeç, atëherë ekzekutimi i vendimit për dënim edhe në rast se është i drejtë, do të duhet të shtyhet derisa bebi të mbushë 1 vjeç. Kjo në rastin e saj nuk ka ndodhur. Nëna është në burg ndërsa për fëmijën që ka nevojë urgjente dhe të pajustifikuar për nënë, është duke u kujdesur i shoqi, Naim Bahçja bashkë me mbesën e tij 11-vjeçare.

E dënuara Diana Bahçja është nga Burreli ndërsa edhe ish-bashkëshorti i saj që e ka denoncuar për braktisjen e fëmijës së parë disa vite pas divorcit është nga Burreli, denoncim që e ka bërë pasi Diana është martuar për herë të dytë në Shkodër.

Advertisement