Politike
Arrestimi i Veliajt/ A po godet SPAK vetëm majtas, Mërtiri: Elektoralisht, nuk e dëmton në pikën që PD të fitojë zgjedhjet
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/ANALISTI-Ergys-Mertiri.jpg)
Analisti Ergys Mërtiri u shpreh se Rama e ndryshon diskursin sepse cënohet elektoralisht.
Sipas tij, lajmi i arrestimit të Erion Veliajt nuk do të ‘penalizojë’ Ramën në zgjedhje dhe se fati i tij është që ka një person përballë si Berisha i cili është vetë i akuzuar nga SPAK.
“Nuk është njësoj korrupsioni i qeverisë në pushtet me një qeveri të mëparshme. Rëndësia e hetimit nuk është njësoj ndaj njërit që ka bërë zullumin dhe ndaj dikujt që po bën zullum.
Flasim për një prokurori me 20 prokurorë, me 1000 dosje ku vetëm dosja e Berishës ka 500 faqe. Sigurisht që prokuroria normale duhet të hetojë të gjithë, por kemi pamundësi për të hetuar të gjithë. Prokuroria do të jetë selektive. Nuk dua një prokurori që del me kandar në dorë dhe dënon në mënyrë të balancuar.
Dënon në bazë të peshës së korrupsionit, një korrupsion i kryer më parë nuk është njësoj me një korrupsion aktiv. Një kryetar bashkie që hetohet jo vetëm për fustanet, hetohet për fshehje pasurie. Bëhet fjalë për figurën e dytë më të pushtetshme që ka miliona euro në administrim. Rama e ndryshon diskursin sepse cënohet elektoralisht. Drejtësia duhet të hetojë sepse mendon që ai ka abuzuar.
Elektoralisht nuk ka për ta dëmtuar aq sa Berisha mund të mund Ramën sepse ai vetë hetohet nga SPAK, fati i Ramës është që ka përballë Berishën. Berisha dje tha që e ka arrestuar Rama dhe sot tha që ka dhe prokurorë të ndershëm.”, tha Mërtiri për Real Story.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)