Connect with us

Politike

Arrestimi i Veliajt/ BE reagon: Elementë kyç në procesin e anëtarësimit në BE

Bashkimi Europian ka reaguar  pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Pyetjes së gazetarit Osman Stafa se: Cili është qëndrimi apo komenti i Delegacionit të BE në Tiranë, pas deklaratave te kryeministrit Edi Rama në drejtim të SPAK? – një zëdhënës i Komisionit Europian ka deklaruar se “po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit lidhur me hetimin e Veliajt”. Por zëdhënësi i KE thekson se “Brukseli nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim”.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se BE vlerëson rolin dhe pavarësinë e SPAK në hetimin dhe ndjekjen penale, pa ndërhyrje politike apo presione.

Deklarata

“Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.

 

 

Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.”

Advertisement