Shkrime
Arrestimi i Veliajt, mund të kthehet në një bomerang të madh për PD dhe Berishën
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2025/02/veliaj-berisha.jpg)
Nga Blendi Kajsiu
Arrestimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj nga SPAK, ka prodhuar një reagim të fuqishëm, sidomos në kampin e majtë. Disa kanë hedhur hije dyshimi mbi arrestimin e Veliajt dhe sidomos të bashkëshortes së tij. Të tjerë e kanë interpretuar këtë arrestim si një aksion i qartë politik që godet rëndë fushatën elektorale të PS-së në Tiranë.
Një pjesë e mirë e këtyre kritikave janë të arësyeshme dhe janë artikuluar edhe nga opozita, sidomos gjatë arrestimit të Ilir Metës. Nga pikpamja juridike është e dyshimtë prangosja e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion para se të gjykohen, kur teorikisht mund të hetoheshin në arrest shtëpie apo gjendje të lirë. Nga pikpamja sociale duket i ekzagjerur arrestimi i njëkohshëm i dy prindërve, siç ishte rasti i Veliajt dhe bashkëshortes së tij, që vë në rrezik mirëqënien e djalit të tyre të vogël.
Ndërkohë nga pikpamja politike arrestimi Veliajt kaq pranë zgjedhjeve të përgjithëshme duket si një ndërhyrje e qartë në lojën politike, pasi eleminon figurën kryesore të Partisë Socialiste në fushatën e saj elektorale në Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj ka qenë modeli i suksesit të qeverisjes socialiste në kryeqytet, ndaj arrestimi i tij nën akuzën e korrupsionit pasiv njollos rëndë të gjithë qeverisjen socialiste dhe dëmton makinerinë e saj elektorale në kryeqytet.
Ama të gjithë këta shembuj tregojnë se drejtësia e rë është e pavarur, ndonëse jo e përkryer. Fakti që Veliaj arrestohet kaq pranë fushatës elektorale është evidencë e mungesës së një kalkulimi politik nga ana e SPAK që do mund ta kish shtyrë këtë arrestim pas zgjedhjeve paralmentare.
Ndaj është e pabazë kritika që i bëhet SPAK nga zëra pranë qeverisë Rama se me arrestimin e Veliajt është politizuar dhe ka hapur fushatën elektorale të PD-së. Sipas kësaj llogjike SPAK duhet të kish prituar përfundimin e zgjedhjeve të përgjithëshme në maj për të arrestuar Veliajn në qershor.
Pra që SPAK të jetë i papolitizuar duhet ti zbatojë vendimet e tij juridike vetëm pasi ka bërë një analizë politike të efekteve të tyre. Analiza politike duhet të përcaktojë se kur, ku dhe si duhet arrestuar një zyrtar i lartë.
Është pak e çuditëshme të argumentosh se për të qenë e pavarur politikisht drejtësia e re duhet të udhëhiqet nga llogjika politike dhe jo juridike.
Natyrisht llogjika juridke e përdorur në rastin konkret nuk është e përkryer. Ajo mund të kritikohet për ashpërsinë e saj, për dhunimin e prezumimit të pafajësisë, për boshllëqet apo kontraditat në procesin hetimor. Ama ajo kurrësesi nuk duhet vlerësuar me kutin e efektit të saj politik.
Aq më tepër që është e pamundur të përcaktosh qartë efektin politik të këtij arrestimi sot, sepse politika është dinamike dhe e paparishikueshme. Opozita berishiste që fërkon duart përballë arrestimit të Veliajt sot, mund të tronditet nesër kur të shosh që ky arrestim shërbeu për të thelluar diferencën elektorale mes PS-së dhe PD-së, për të paktën tre arsye.
Së pari, sepse arretimi i Veliajt i jep mundësi PS-së të theksojë diferencën mes standartit të saj qeverisës dhe standartit berishist. Reagimi i kryeministrit Rama, i Veliajt dhe i bashkëshortes së tij ishte shumë më demokratik dhe dinjitoz sesa qëndrimi berishist që e sulmoi me libër shtëpie Dumanin, prokurorët e SPAK dhe çdo gjygjtare që i dilte përpara, duke refuzuar zbatimin e vendimeve të drejtësisë.
Së dyti, arrestimi i Veliajt e boshatis fushatën elektorale të berishizmit që në thelb premton eleminimin e SPAK. Në zgjedhjet e ardhëshme Berisha do i premtojë elektoratit të tij shkrirjen e një institucioni popullor që ka arrestuar figurat kyce të pushtetit socialist, që nga Arben Ahmetaj deri tek Erjon Veliaj, pa përmendur ikonat e korrupsionit politik shqiptar si Ilir Meta.
E kundërta do të ndodhë me fushatën elektorale të Edi Ramës që me arrestimin e Veliajt nuk është çudi të thotë “Sakrifikojmë pushtet për të ndërtuar shtet!” Është një parrullë që do neutralizojë berishizmin jo vetëm tek elektorati gri por edhe tek elektorati i djathtë duke e vënë gishtin tek hendeku i thellë mes standartit qeverisës berishist dhe atij socialist në raport me sistemin e drejtësisë.
Së fundmi, për votuesin socialist arrestimi i Veliajt është një padrejtësi epokale, pasi për ta ai përfaqëson brezin e ri në politikë që e ka transformuar Tiranën në një qytet evropian. Ndryshe nga rasti i Arben Ahmetaj, Veliaj gëzon simpati dhe popullaritet në gjirin e elektoratit socialist, dhe përtej, sidomos për punën e tij në krye të bashkisë së Tiranës.
Nuk ka recetë më të mirë për mobilizimin e elektorati të zhgënjyer socialist sesa indinjimi, padrejtësia apo sensi i persekutimit dhe i viktimizimit, sidomos përballë kuçedrës berishiste.
Në këtë mënyrë SPAK mund ta kthejë Veliajn nga një politikan i dyshuar për korrupsion, në një martir politik përballë dinosaurve të politikës shqiptare. Ndërkohë doktori është transformuar nga një martir politik në një Berishë që ka si premtim kryesor çlirimin e familjes nga SPAK.
Natyrisht nëse diçka e tillë ndodh berishistët dhe zërat rreth tyre do deklarojnë se ky ishte një konspiracion i mirë-kordinuar mes Ramës-Sorosit dhe SPAK. Do thonë se arrestimi i Veliajt dhe lirimi i Berishës ishte thjesht një lojë që PS-ja të fitonte thellë zgjedhjet duke u paraqitur si partia që sakrifikon pushtet për të ndërtuar shtet.
Dhe përsëri do ta godasin SPAK-un si instrument politik të Ramës, edhe pse arrestimi i Veliajt sot tregon qartë se drejtësia e re është e pavarur nga ekzekutivi. Ama jo e përkryer pasi e ka të pamundur të kënaqë orekset politike të të gjithëve njëkohësisht.
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2022/08/LogoWeb.2-e1644580268739.png)
![](https://ntv.al/wp-content/uploads/2023/12/OledroHot.gif)