Aktualitet
Arrestohen në Angli tre nga grupi i 6 vrasësve të Ardian Nikulaj
NTV.AL ka mundur të mësojë se tre prej 6 personave të kërkuar nga policia shqiptare për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj janë arrestuar në Angli. Ata janë Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan. Gjykata e ekstradimeve në Londër përmes postës elektronike konfirmoi për gazetarin e tonë, se ata do të dalin mesditën e sotme përpara kësaj gjykate për të vlerësuar masën e sigurisë. Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan janë arrestuar në Londër përmes një operacioni të gjerë policor, një ditë pas marrjes së kërkesës nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë. Pasditen e djeshme një gjykatës i gatshëm në Londër i vlerësoi të ligjshme konform legjislacionit anglez urdhër-arrestet e lëshuara disa ditë më parë nga gjykatë e Lezhës. NTV.AL mëson se operacioni për kapjen e tyre është koordinuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Metropolitane angleze dhe agjencinë kundër krimit të organizuar, e njohur si FBI-ja angleze, NCA. Në këtë seancë një prokuror anglez i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar do t’i lexojë gjykatës kërkesën e Shtetit Shqiptar se përse kërkohen këta persona.