Kronike
Arrestohet farmacisti/ I dha pilulë aborti dhe e ngacmoi seksualisht
Policia ka njoftuar sot arrestimin e farmacistit 53-vjeçar një ditë pas publikimit të një videoje, ku ai ngacmonte seksualisht një kliente, e cila kishte shkuar për të kërkuar një pilulë aborti, tregtimi e së cilës ishte gjithashtu e paligjshme.
Menjëherë farmacisti u tregua i afërt me qytetaren dhe i ofroi të pinte një kafe dhe me zhvillimin e bisedave ai nisi ta puthte dhe prekte, teksa një nga provokimet e tij ishte t’i ofronte klientes së tij një banane. Pak më vonë siguroi edhe pilulën.
Ndërkohë, i paqartë është njoftimi i policisë, që ndër akuzat ndaj farmacistit, nuk rendit çështjen e ngacmimit seksual. Në njoftim thuhet se ndaj tij rëndojnë akuzat “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Njoftimi i policisë: Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bënte fjalë për një shtetas (farmacist) që tregtonte barna të kontrabanduara, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasin: H. R., 53 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.