Bota
Arrihet fundi i luftës/ Trump i lumtur: Takimi i Witkoff me Putin ishte jashtëzakonisht produktiv

Teksa Shtëpia e Bardhë paralajmëron vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë të premten, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se është bërë “përparim i madh” drejt paqes në Ukrainë, pas një takimi të ngushtë mes të dërguarit të tij Steve Witkoff dhe presidentit rus Vladimir Putin në Moskë.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump u shpreh optimist për ecurinë e bisedimeve, duke nënvizuar mbështetjen edhe nga aleatët europianë.
“I dërguari im i posaçëm, Steve Witkoff, sapo pati një takim jashtëzakonisht produktiv me Presidentin rus Vladimir Putin. U bë një përparim i madh! Më pas informova disa nga aleatët tanë evropianë. Të gjithë janë dakord se kjo luftë duhet të përfundojë dhe ne do të punojmë drejt këtij qëllimi në ditët dhe javët në vijim,” shkroi Trump.
Pavarësisht tonit pozitiv të Trump, Uashingtoni nuk po tërhiqet nga masa të ashpra ndëshkuese ndaj Moskës nëse nuk jep sinjale konkrete për ndaljen e luftës.

